Pyetja:
A lejohet që një njeriu me të meta të kufizuara t’i dërgojmë dhuratë për ditëlindje, me qëllim që ta gëzojmë se ai e di që ka ditëlindjen, sepse i tregojnë prindërit e tij që nuk janë të udhëzuar, kurse unë e kam vëlla, por unë nuk mundem atij t’ia shpjegoj haramin. A bëj gjynah në ketë rast t’ia blej dhuratën?
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Kremtimi i ditëlindjes nuk është prej traditës së muslimanve dhe kjo nuk ishte e njohur tek ata asnjëherë, pa marrë parasysh si mund të bëhet kremtimi i saj. Prandaj edhe kremtimi i ditëlindjes së Profetit ﷺ nuk lejohet, edhe pse kremtimi bëhet me lutje, recitime të poezive për historinë e jetës së tij.
Kremtimi i ditëlindjes është traditë e besimeve dhe shoqërive joislame e që për fat të keq disa nga muslimanët janë ndikuar prej tyre. Prandaj këshillojmë muslimanët të largohen nga traditat dhe ritet e jobesimtarëve dhe të mjaftohen me atë që kanë në fenë e tyre, pasi vetëm në të është krenaria dhe shpëtimi në këtë botë dhe në botën tjetër.
Kurse për rastin tënd me vëllanë i cili është me të meta të kufizura themi se ju duhet të mundoheni të mos veproni një praktikë të jobesimtarve, por në të njejtën kohë të mos e mërzisni atë. Fillimisht ju këshilloj që me vëllanë të keni mirësjellje, butësi dhe t`i ndihmoni në vështirësitë me të cilat ballafaqohet në jetë. Me fjalë të tjera, të jeni nga ata që vëllai juaj mos të presë mirësjellje, apo dhuratë vetëm në ditëlindjen e tij, por të jetë ky zakon yt edhe ditëve të tjera të vitit. Pastaj nëse është e mundur sqaroni se pse nuk e keni bërë këtë në ditëlindjen e tij, nëse ai nuk kupton, ashtu si thoni ju në letër, dhuroji atij pasi t`i kalojë ditëlindja. Kështu që edhe pse ndoshta mërzitet pak i largohet ajo. Mundohu që tek ai të ngresh vetëdijen që të presë nga ti dhurata në kohën e festave të muslimanëve, bajrameve.
Së fundi, lusim Allahun e Lartësuar shpëtim për ty, vëllanë dhe gjithë familjen në këtë botë dhe në botën tjetër!
Alaudin Abazi