Pyetja:
A bën që i njëjti imam t’i falë dy namazet e të njëjtës xhuma (ta rifalë namazin e ditës së premte), nëse ka edhe disa hoxhallarë apo persona të tjerë prezent që mund ta falin xhumanë?
***
Përgjigjja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!
Në lidhje me këtë çështje, në mënyrë të përmbledhur, thuhet sa vijon:
Së pari: Falja e farzit pas imamit që po fal nafile
Siç dihet nëse personi e ka falur një herë farzin (qoftë i vetëm, qoftë me xhemat) dhe pastaj e përsërit atë (qoftë edhe duke gabuar dhe bërë sërish nijetin e farzit), namazi i parë nuk prishet, porse është ky namaz i parë ai që i konsiderohet personit falje e farzit dhe shlyerje e këtij të fundit; teksa namazi i përsëritur i konsiderohet nafile (dhe si rregull përsëritja bëhet vetëm në situata të caktuara, siç do të ceket më poshtë).
Në krahun tjetër, siç dihet medhhebi hanefi (dhe shumica e juristëve muslimanë) nuk e lejon faljen e farzit pas imamit që po fal nafile, kurse medhhebi shafi’i e lejon këtë bazuar në transmetimin e saktë ku vjen se Muadhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) jacinë (dhe kjo, siç shprehen juristët mbështetës muslimanë, vlen për çdo namaz farz) e falte pas Profetit ﷺ dhe pastaj kthehej e falej imam me xhematin e tij. [1] Ky mendim është më i fuqishmi, edhe pse më parësor dhe më mirë është mendimi që imam të dalë dikush që po fal farzin, për të shmangur futjen e xhematit në mospërputhjen e mendimeve të juristëve muslimanë (më konkretisht për të shmangur rënien në mendimin e shumicës së juristëve muslimanë, që thonë se namazi i farzit pas kujt po fal nafile nuk vlen).
Së dyti: Prania e imamllarëve të tjerë kur imami përsërit xhumanë (hutben apo namazin).
Pikërisht në këtë kontekst vlen të theksohet se lejuesit e përsëritjes së hutbes apo namazit të së njëjtës xhumaje në të njëjtën xhami dhe nga i njëjti imam, e lejojnë këtë gjë kur ajo bëhet nga nevoja; kurse nëse përsëritja e xhumasë nuk është e nevojshme ose kur është i pranishëm një imam tjetër, në këtë rast nuk këshillohet (pra është mekruh/e papëlqyeshme) që xhumaja të përsëritet nga i njëjti imam, pasi si rregull “përsëritja e farzit pa arsye sheriatike (juridike islame) nuk lejohet”.
Konkluzioni: Bazuar në sa më sipër, lejohet që xhumaja të rifalet në të njëjtën xhami dhe nga dikush (një imam) që e ka falur atë më parë (dhe kjo vlen edhe për mbajtjen e hutbes) vetëm në rastet e nevojës, si dhe kur faljen e kësaj xhumaje nuk mund ta kryej dikush që nuk e ka falur atë më parë; në të kundërt, sipas mendimit më të fuqishëm, një gjë e tillë nuk është e këshillueshme (pra është e papëlqyeshme).
Allahu e di më mirë.
Bashkim Aliu
—————————–
[1] Buhariu 5755 dhe Muslimi 465