Pyetja:

Jam një vajzë 20-vjeçare. Jam fejuar në moshën 18-vjeçare dhe jemi martuar. Para se të fejohem dhe të martohem nuk kam pasur të dashur dhe ky ka qenë i pari për mua. As marrëdhënie nuk kemi pasur deri natën e martesës. Por vetëm 4 muaj pasi isha e martuar, për shkak që ish-burri ka pasur një femër tjetër, bile e fesë katolike- një kohë të gjatë e kam duruar dhe e kam toleruar që të mos ndodhte ndarja- u ndamë. Nuk e di për çka më ka dënuar Allahu mua. Besoj që nuk kam bërë asnjë gjë kaq të keqe që të më dënojë Zoti kështu. Unë e kam dashur shumë atë dhe krejt gjërat i kam bërë siç ka dashur ai, vetëm që të mos ndahemi, por ai ka luajtur me mua dhe nuk e ka pasur seriozisht. Ne u bashkuam me shkesë. Po më vjen çudi për çka është martuar me mua dhe ma ka shkatërruar jetën. Unë veç kam ndenjur me nënën dhe babanë e tij, kurse ai më ka lënë gjithmonë vetëm. Dua të di a ka për ta dënuar Allahu atë dhe si ka për ta dënuar. Dhe po ju lutem të më shpjegoni se ku kam gabuar unë që Allahu më ka dënuar deri në këtë situatë. Dhe a kam për të qenë ndonjëherë e lumtur, sepse po mërzitem shumë. I kam humbur shpresat dhe nuk i besoj askujt.

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Nga leximi i letrës suaj, edhe ne e ndjemë dhimbjen dhe mërzinë që keni si rezultat i problemeve me të cilat jeni ballafaquar mu në ato momente kur keni pritur se çdo gjë do të jetë si është më së miri për ju. Lusim Allahun e Lartësuar që t`jua kompensojë këtë sprovë tuajën me mirësi dhe shpërblime. Jeta e njeriut ashtu si është ka lumturi, gëzime e hare, ka edhe momente mërzie, hidhërimi dhe sprovash. Pastaj ju duhet ta dini edhe atë se ashtu si janë të shpërndara te njerëzit format e gëzimit ashtu janë të shpërndara edhe llojet e sprovave. Për këtë dikush sprovohet me sëmundje, dikush me vdekjen e ndonjë të dashuri, dikush sprovohet me mungesë të pasurisë, dikush me probleme dhe kështu me radhë. Allahu i Lartësuar ua bën me dije besimtarëve këtë ligj të Tij. Ai në Kuran thotë: “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe fryteve! Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” (Bekare, 155)

Problemi që ju ka ndodhur vërtet është një sprovë e madhe për ju, por ju duhet ta keni parasysh se Allahu në caktimin e Tij të ndodhive (kader) ka dituri dhe urtësi, të cilat nuk mund t’i kuptojë gjithëherë besimtari, ose mund t’i kuptojë, por shumë më vonë sesa në ato momente të fatkeqësisë, prandaj edhe besimtari i dorëzohet Allahut gjithmonë.

Në përgjithësi, vështirësitë, fatkeqësitë dhe mërzitë me të cilat ballafaqohet besimtari në jetën e përditshme mund të jenë për të njëra nga këto gjëra të cilat do t’i përmendim:

– Njeriu sprovohet me fatkeqësi dhe vështirësi që të vërtetojë besimin e tij në Allahun e Madhëruar, pasi në raste normale, kur njeriu është mirë dhe pa lëkundje nga dallgët e jetës, atëherë edhe besimi i Tij ndaj Allahut nuk është i thellë. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “A menduan njerëzit të thonë: “Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë?” Ne i sprovuam ata që ishin para tyre, ashtu që Allahu gjithqysh do t’i dallojë ata që e thanë të vërtetën e do t’i dallojë edhe gënjeshtarët.” (El Ankebut: 2-3)

– Shpagim dhe shlyerje për mëkatet e shkaktuara dhe kjo është vërejtje për besimtarin, si p.sh. një njeri bën mëkate të shumta, vjedh e tradhton dhe me këtë pasuri blen një makinë dhe pas një kohe bën ndeshje me të, ai menjëherë në veten e tij e kupton arsyen e kësaj fatkeqësie. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Çdo sprovë me të cilën goditet muslimani, si: lodhjet, sëmundjet, preokupimet, dëshpërimet, mundimet, ngushtimet, saqë edhe një therë nëse hyn në trupin e tij, me këto Allahu ia shlyen mëkatet.” [1]
Këto fatkeqësi gjithashtu janë vërejtje për besimtarin, që ai të këndellet nga mëkatet dhe t’i kthehet Krijuesit të Tij.

– Ngritja e shkallëve në xhenet dhe fitimi i shpërblimeve. Fillimisht me këtë janë sprovuar të Dërguarit e hershëm, pastaj me këtë sprovohen edhe besimtarët e devotshëm. Sad ibn ebi Vekasi e ka pyetur Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguar i Allahut, cilët njerëz më së shumti do të sprovohen?” Pejgamberi ﷺ tha: “Pejgamberët, pastaj njerëzit e devotshëm, pastaj ata që u ngjajnë atyre. Njeriu sprovohet sipas besimit që ka; nëse është i fortë në fe, sprovohet më shumë; nëse është i dobët në fe, sprovohet më pak.” [2]

Motër e nderuar, ju duhet ta kuptoni se bota është vendi i sprovës dhe Allahu e sprovon njeriun me kënaqësi dhe vështirësi. Pra, prej ligjeve të Allahut të Lartësuar është që robërit e Tij nuk kanë vetëm një gjendje të pandryshueshme dhe të mbetet besimtari pa u testuar dhe sprovuar. Por ata do t’u nënshtrohen testeve të shumta, vetëm në këtë mënyrë ndahen besimtarët e durueshëm dhe zbulohen besimtarët e pasinqertë. Allahu i Madhëruar këtë të vërtetë në Kuranin Famëlartë e tregon kështu : “Para teje (o Muhamed), Ne nuk e kemi bërë asnjë të pavdekshëm. Nëse ti vdes, a do të mbesin ata të përjetshëm?! Çdo njeri do ta shijojë vdekjen! Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.” (Enbija, 3435)

Sipas këtyre ajeteve kuranore, njeriu mund të sprovohet në mënyra të ndryshme. Për shembull, derisa është duke shijuar të mirat e pasurisë me bollëk, njeriu duhet të jetë i kujdesshëm që të sillet me atë moral me të cilin është i kënaqur Allahu, të kthehet nga Ai në të gjitha qëllimet dhe veprat, t’u bindet urdhrave të Tij dhe të pasojë këshillat e Tij. Pastaj njeriu mund të sprovohet me sëmundje, fatkeqësi, kurthe, mërzi, shpifje… etj. Jobesimtarit, kur i ndodh ndonjëra nga këto gjëra, mërzitet, shqetësohet dhe brengoset e i tejkalon të gjitha kufijtë, kurse besimtarit, kur i ndodhin këto, fort mirë e di se këto janë një pjesë e sprovave dhe nuk harron se duhet të bëjë durim, që përfundimisht do ta shpjerë në të mirë.

Motër e nderuar, ti je sprovuar me këtë të keqe, por duhet të kesh mendimi të mirë ndaj Allahut dhe mos shpejto në përfundime që të shqetësojnë, dëshpërojnë e mërzisin, pasi e keqja mund të sjellë të mira!
Allahu i Madhëruar thotë: “Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.” (Bekare, 216)

Kjo është kështu në lidhje me ty, ndërsa personi i cili të tradhtoi dhe e përdori besimin tënd dhe të bëri padrejtësi ai pa dyshim do të japë llogari para Allahut dhe do ta paguajë për këtë tradhti dhe mashtrim. Lusim Allahun e Lartësuar t`ua kompensojë këtë mërzi dhe sprovë me mirësi dhe rehati, të cilin do ta gjeni në këtë botë dhe në botën tjetër. Amin!

Alaudin Abazi

—————————-

[1] Buhariu dhe Muslimi

[2] Buhariu