Pyetja:

A është parakusht shmangia nga gjynahet e mëdha që të meritohet premtimi për falje nga Allahu?

***

Përgjigjja:

Po, ka njëzëshmëri sipas Ehlus-Sunetit dhe Xhematit lidhur me atë se Premtimi i Allahut fuqimadh apo i të Dërguarit ﷺ për falje, Xhenet apo shpëtim nga Zjarri është i kushtëzuar me shmangien nga gjynahet e mëdha. Allahu i Lartësuar thotë:

Nëse ju i shmangeni gjynaheve të mëdha që ju janë ndaluar t’i bëni, Ne do t’jua shlyejmë gjynahet e vogla dhe do t’ju pranojmë në një Hyrje Fisnike (Xhenet).” (Nisa: 31)

Allahu i Madhëruar shpjegon se një nga kushtet e pranimit të njerëzve në Xhenet dhe shlyerjes së gjynaheve të tyre është shmangia nga gjynahet e mëdha. Allahu i Patëmeta thotë: “Nëse ju shmangeni nga gjynahet e mëdha që ju janë ndaluar t’i bëni, ne do t’jua shlyejmë gjynahet e vogla dhe do t’ju pranojmë në një Hyrje Fisnike.” Kjo tregon se kushdo që nuk u shmanget atyre, s’do ta ketë këtë përfundim, sepse thënia “Nëse ju shmangeni” është një kusht dhe rezultat i saj është: ”Ne do t’jua shlyejmë gjynahet e vogla”. Ky është një rregull ku rezultati varet nga përmbushja e kushtit. Njëherë pasi që kushti të përmbushet, rezultati do të pasojë; përndryshe, s’do të ndodhë.

Pra, një besimtar duhet t’u largohet dhe t’u shmanget gjynaheve të mëdha. Si gjynahe të mëdha u referohet gjynaheve që Allahu e mallkon (bërësin e saj), lëshon Hidhërimin e Tij mbi të, apo premton se bërësin e tij do ta çojë në Xhehenem. Këto gjynahe përfshijnë dhe krimet bërja e të cilave detyron Had-in (ndëshkimin e caktuar për shkeljen e ligjit të Allahut) në këtë botë, siç është zinaja (marrëdhëniet e jashtëligjshme seksuale), grabitja, mosrespektimi birnor, shkëputja e marrëdhënieve farefisnore, kamata, uzurpimi i pasurisë së jetimëve, gibeti (përgojimi), nemime (thashethemet), të mallkuarit e dikujt, ofendimi, dhe gjynahe të tjera të mëdha. Është obligim që të ruhemi fort nga këto dhe të pendohemi nga bërja e gjynaheve të mëdha të mëhershme.

Është transmetuar në një hadith të vërtetë se Pejgamberi ﷺ tha: “Pesë namazet ditore (farz), xhumaja deri në xhuma, ramazani deri në ramazanin tjetër janë shlyerje për çfarëdo që bëhet mes tyre, me kusht që të mos bëhen gjynahe të mëdha”; sipas një transmetimi tjetër: ”… me kusht që t’u shmangeni gjynaheve të mëdha”. [1] Pra, kjo tregon se aktet e mëdha të ibadetit i shlyejnë gjynahet, me kusht që t’u shmangemi gjynaheve të mëdha. Hadithi është në pajtim me ajetin e mësipërm. Një ditë prej ditësh, Pejgamberi ﷺ po merrte abdes dhe përmendi se kushdo që merr abdes të plotë, gjynahet e tij të mëparshme do t’i shlyhen, për sa kohë që u shmangemi el-Mekteleh (gjynaheve të mëdha). Kështu, një besimtar duhet të mundohet për punë të mira, të garojë për punë të mira dhe t’u shmanget gjynaheve, sidomos atyre të mëdhave, sepse rreziku i tyre është i madh po që se Allahu nuk i fal ato, përderisa ato nuk janë ndër aktet e shirkut (shoqërimit të të tjerëve në adhurimin ndaj Allahut). Allahu thotë: “Vërtet, Allahu nuk fal që t’i vihen ortakë Atij (në adhurimin që i bëhet), por, përveç kësaj, Ai ia fal kujt të dojë”. (Nisa: 116)

Shejh Ibn Baz, “Fetava”, vëll.4, faqe 378

———————————

[1] Muslimi