Pyetja:

Unë punoj në lokal dhe aty pihet duhani me të madhe, ka shumë punë dhe lodhem shumë, nuk mund të përqendrohem në punë, harroj porositë e klientëve. A e kam obligim të agjëroj Ramazanin?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Agjërimi i Ramazanit është një nga kushtet thelbësore të Islamit, prandaj lënia e këtij kushti nuk lejohet në asnjë mënyrë, përveç disa rasteve specifike, sikurse i sëmuri me sëmundje që nuk do ta përballonte agjërimin, ose plaku shumë i moshuar, etj. Mirëpo edhe në këto raste specifike agjërimi nuk bie si obligim, por duhet të kompensohen ditët e lëna pa agjëruar atëherë kur shërohet i sëmuri, ndërsa plaku duhet t’i kompensojë ditët duke ushqyer për çdo të ditë të lënë pa agjëruar një të varfër.

Në rastin tuaj, nuk është arsyetim ajo që ju përmendni për të mos e agjëruar Ramazanin. Mendojmë se për këtë situatë keni zgjedhje dhe rrugëdalje të shumta. Kështu që ju mund ta merrni pushimin në këtë muaj ose të kërkoni nga pronari t`ua ndërrojë vendin e punës, etj.

Sido që të jetë, nëse ju i përmbaheni dispozitave të Allahut dhe i përmbaheni agjërimit, atëherë Allahu i Plotfuqishëm do t`ju ndihmojë të gjeni zgjidhje. I Dërguari i Allahut, ﷺ thotë: “Kush braktis diçka për Allahun, Ai (Allahu) ia kompenson atij me diçka më të mirë se ajo që e ka lënë.” [1] Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi

——————————

[1] Albani – sahih