Pyetja:

I fali 5 kohët e namazit dhe po mendoj të mbulohem. Rrethin nuk e kam fetar, nuk e praktikojnë Islamin. Po kam dëshirë ta di se a e kam gjynah nëse mbulohem më vonë pasi e kam kuptuar fenë dhe e kam kuptuar se e kemi farz mbulesën. Dhe, a dënohem që nga ajo ditë që e kam kuptuar dhe s’e kam kryer këtë obligim?

Përgjigja:

Mbulesa e femrës myslimane është obligim fetar islam dhe femra obligohet me shami prej se hyn në moshën madhore. Nëse supozohet se ndonjë femër nuk ka dëgjuar kurrë për Islam dhe për detyrat fetare, natyrisht se ajo obligohet dhe llogaritet prej ditës kur ka dëgjuar për urdhrin kur’anor. Por raste të tilla janë shumë të rralla dhe nuk mund të ndodhin në shoqëri të civilizuar. Po ashtu, nëse një femër jomuslimane e pranon Islamin në ndërkohë, ajo obligohet me detyrat fetare nga koha kur e ka pranuar Islamin, sepse pranimi i Islamit, i shlyen të më hershmet.

Sa i përket dënimit të mospërfilljes së urdhrit të Allahut për mbulesë lexo linkun:

http://pergjigje.net/index.php/2019/06/30/cfare-denimi-ka-femra-nese-vdes-e-zbuluar/

Përgjigje:
Alejkum selam ve Rahmetullah!
Motër muslimane, femra e cila nuk mbulohet sipas veshjes së paraparë islame, pra nuk mbulohet ka dënime edhe në dynja e edhe në ahiret. Nga dënimet në dynja mund të jenë thashethemet që mund të thuhen për femrën e zbuluar, sepse asaj mund t’i përputhen etiketimet e ndryshme lidhur me nderin e saj, pasi ajo ka refuzuar mbulesën. Mbulesa e trupit të femrës është për ta mbrojtur dhe izoluar nderin dhe moralin e saj. Kur ajo refuzon mbulesën sikur mund të kuptohet se ajo refuzon mbrojtjen e nderit të saj, ose e rrezikon atë. Allahu ka thënë: “O Profet, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit. Kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen e të mos ngacmohen nga të tjerët. Me të vërtetë, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Ahzabë, 59)Pra të njihen se janë të ndershme dhe nuk rrezikojnë ta ekspozojnë veten e tyre për ta prishur nderin, andaj edhe të sëmurët në zemër nuk kanë se si t’i ngacmojnë apo t’i ofendojnë.
Sa i përket dënimit në ahiret për femrën e zbuluar, mjafton hadithi në vazhdim, të cilin e transmeton imam Muslimi nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, ku i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
“Dy kategori njerëzish janë banorë të Xhehenemit, ende nuk i kam parë: njerëz që bartin kamxhikë sikur bishtat e lopëve, me të cilët i rrahin njerëzit dhe gra të mbuluara të zbuluara, të larguara nga respektimi i Allahut dhe propaganduese në mosdëgjimin e Allahut, kokat e tyre janë sikur gungat e shtrembëta të devesë. Këto as nuk do të hynë në xhenet e as nuk do t’ia ndiejnë erën e tij edhe pse era e xhenetit vjen nga largësia kaq e kaq.” Të mbuluara me disa rroba në disa gjymtyrë të trupit, por të zbuluara në gjymtyrët e tjera. Të mbuluara me rroba të tejdukshme, saqë mund të thuhet se janë të zbuluara. Apo janë të mbuluara me rroba të ngushta, që i përshkruajnë gjymtyrët e trupit, gjë që duket sikur të jenë të zbuluara. Këto femra as erën e xhenetit nuk do ta nuhasin, edhe pse era e xhenetit nuhatet nga larg, pra aq larg xhenetit do të qëndrojnë.
Pastaj kemi hadithin tjetër ku i Dërguari, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
“Në fundin e metit tim do të jenë disa burra që hipin mbi shalat më moderne, zbresin te dyert e xhamive, kurse gratë e tyre janë të mbuluara të zbuluara, kokat (frizurat) e tyre janë sikur gunga e tharë e devesë. Mallkoni, sepse ato janë të mallkuara.” (Transmeton imam Ahmedi, sahih)
Pra i dërguari i Allahut i cilëson ato si të mallkuara, që do të thotë se nuk janë nën mëshirën e Allahut. Allahu na ruajttë!
Hadithi tjetër sahih, që e transmeton imam Ahmedi dhe Buhariu në “El-Edebul Mufred”:”Tre kategori, mos pyet fare për ta (për shkak të gjendjes së rëndë të tyre në ahiret)! … dhe një grua që i mungon burri, por i ka lënë furnizim të mjaftueshëm, ndërsa ajo zbulohet dhe del para të tjerëve. Mos pyet për ta!”
Sa gra ka sot që zbukurohen kur dalin jashtë shtëpisë, qoftë me mungesën apo prezencën e burrit, kurse në shtëpi për burrat e tyre veshin rrobat më të papastra, pa kurrfarë përkujdesje!
Veç tjerash heqja e mbulesës është mëkatim ndaj Allahut dhe kërkesë permanente e shejtanit. Allahu thotë:
“O bijtë e Ademit, le të mos ju mashtrojë kurrsesi djalli, ashtu si i nxori prindërit tuaj nga Xheneti, duke ua zhveshur rrobat për t’u dukur vendet e turpshme! Ai dhe shpura e tij ju sheh, prej nga ju nuk i shihni ata. Ne i kemi bërë djajtë roje të atyre që nuk besojnë.” (A’rafë, 27)
Ka edhe argumente të tjera që flasin rëndë për ato që e shkelin urdhrin e Allahut për mbulesë hixhab, por kësaj here po e mbyllim këtë përgjigje me këto ajete:
“Ti do t’i shohësh se si do të përballen me zjarrin të përulur nga poshtërimi dhe duke parë tinëzisht me bisht të syrit. Ata që kanë besuar do të thonë: “Me të vërtetë që humbësit janë ata që kanë humbur vetveten dhe familjen e tyre në Ditën e Kiametit”. Me të vërtetë, keqbërësit do të vuajnë një dënim të përhershëm! Ata nuk do të kenë asnjë mbrojtës që do t’i ndihmojë, në vend Allahut. Për atë që Allahu e shpie në humbje, s’ka kurrfarë rruge (shpëtimi). Përgjigjuni thirrjes së Zotit tuaj, para se të vijë Dita, të cilën Allahu nuk e kthen më. Atë Ditë ju nuk do të keni kurrfarë strehimi dhe nuk do të mund të mohoni.” (Shura, 45-47)
Allahu e di më së miri!

Hoxhë Muhamed Dërmaku