Pyetja:

A e përfshinë gjithë idhujtarinë vetëm statujat?

***

Përgjigjja:

Sa herë përmendet fjala “idhujtari”, njerëzve u shkon ndërmend ndonjë statujë e ndonjë perëndie të kohëve të lashta, të cilës njerëzit i luteshin dhe i faleshin dikur si Zot. Ndërkohë që ky është vetëm një imazh i pjesshëm, i cili ka çuar në një perceptim të mangët e të kufizuar të asaj se çfarë është idhujtaria, çka për rrjedhojë është krijuar bindja se në kohët moderne kur zhvillimi i shkencës dhe i teknologjisë i çmagjepsi njerëzit nga ndikimi që mund të kishin hyjnitë e dikurshme mbi botën dhe jetën e njerëzve, atëherë për rrjedhojë edhe idhujtaria u fanit nga shpirtrat e njerëzve bashkë me triumfin e shkencës. Ndërkohë e vërteta e thelbit njerëzor, që nuk ndryshon kurrë, është se njeriu në këtë botë nuk shpëton dot nga idhujt në asnjë epokë.
Por çfarë është një idhull dhe çfarë është idhujtaria në fakt?
Në një kuptim të gjerë dhe thelbësor idhull është çdo gjë tjetër veç Zotit që josh zemrat dhe imagjinatën e njerëzve më shumë sesa Krijuesi duke e rivalizuar Atë në shpirtin e njeriut. Idhull është çdo gjë që mendohet se mund të ofrojë atë që vetëm Zoti mund ta japë. Idhulli është pra diçka që njerëzit e vendosin mbi Zotin. Çdo gjë që është më e rëndësishme për njerëzit se Krijuesi kthehet në një idhull për ta. Çdo gjë që zë vendin e Tij në jetë dhe bëhet qëllimi final më i lartë i njeriut është një idhull. Në idhuj nuk shndërrohen vetëm gjërat e kota e të pavlerë apo të këqija dhe të ndaluara, por edhe ato të mira, të cilat nëse bëhen synimi ynë më madhor në jetë nuk janë gjë tjetër vetëm se idhuj. Familja, puna, karriera, mirëqenia, shëndeti etj., edhe këto mund të shndërrohen në idhuj, nëse ato bëhen qëllimi i vetëm dhe më i lartë në jetën e njerëzve dhe Zoti lihet pas tyre.
Zhvendosja fetare, botëkuptimore, kulturore dhe materiale që pësoi bota në epokën moderne kurrsesi nuk i dha fund idhujtarisë, por ajo solli idhuj të rinj dhe forcoi disa të vjetër, sepse në thelb misioni me të cilin ajo e nisi këtë rrugëtim qe “çlirimi” nga Zoti dhe çdo e shenjtë transcendente, për ta zhytur atë në botën e materies, duke nisur nga vetja, me synimin për ta bërë atë “Zot” të fateve të veta. Kështu që idhulli i parë dhe më i madh i kohës së sotme është egoja njerëzore, që shfaqet përmes individualizmit, vetëpëlqimit dhe të jetuarit me veten dhe vetëm për hir të vetvetes. Gati të gjitha projektet dhe prirjet e sotme botërore kulturore dhe materiale vënë në qendër të tyre njeriun, egon dhe dëshirat e tij, për pushtet, për para, për kënaqësi, për mirëqenie, për sukses dhe çdo gjë tjetër që përmbush madje edhe tekat dhe epshet e tij më të ulëta. Rruga për realizimin e këtij misioni kalon përmes idhujve të tjerë, siç janë paraja dhe fama individuale. Këto të dyja përmbushen nga elementë të tjerë të cilët edhe ata kthehen në idhuj, duke e hapërdarë kështu njeriun gjithmonë e më shumë në varësi dhe idhuj të rinj, sepse materia të tillë natyrë ka sa më shumë zhytemi në të, në copëzimin dhe shumësinë e saj. Kjo është edhe arsyeja kryesore pse njerëzit e epokës sonë humbasin nëpër një shumësi ndikimesh ndijore shqisore dhe kalojnë në stres të vazhdueshëm, duke mos pasur një identitet të qartë dhe as një kauzë sublime. Hanë për të jetuar dhe jetojnë për të ngrënë, apo ndryshe vetëm për të përmbushur nevojat dhe kënaqësitë personale trupore dhe asgjë më shumë.

Pikërisht për të luftuar këtë idhujtari thirrja e ezanit i kujton besimtarit pesë herë në ditë, se Allahu, Krijuesi dhe Zoti ynë i vetëm, është më i madhi dhe më i rëndësishmi në jetën e njeriut se çdo gjë tjetër, ndaj dhe nuk ka adhurim më të rëndësishëm në Islam që e mban njeriun lidhur përherë me Zotin sesa falja e namazit, ndaj dhe ajo është shtylla e fesë, siç e ka quajtur atë Profeti ﷺ, e po ashtu kush e braktisë atë i ka hapur vetes rrugën për të rënë në idhujtari.

Hoxhë Justinian Topulli