Pyetja:

Namazi i natës i cili bëhet nëpër xhamia në muajin e Ramazanit e sidomos në 10 netët e fundit, a është bidat? Se një hoxhë thonte që Pejgamberi alejhi selam nuk e ka bërë këtë vepër asnjëherë kështu me xhemat me fale namaz nate në xhami.

***

Përgjigjja:

Falenderimi i takon Allahut, ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Çdo gjë të cilën nuk e ka urdhëruar, sugjeruar e as vepruar Muhamedi ﷺ apo sahabet e tij, duke pasur mundësinë e veprimit të saj, ajo është risi në fe – bidat.

Ndërsa sa i përket namazit të natës në Ramazan, këtë e ka vepruar Pejgamberi ﷺ dhe një gjë e tillë nuk mund të quhet bidat. Aisheja ka thënë (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Një natë u fal Pejgamberi ﷺ dhe pas tij u falën disa njerëz. E u fal edhe natën tjetër dhe u shtuan ata. E pastaj u tubuan natën e tretë apo të katërt, por Pejgamberi ﷺ nuk doli. E në mëngjes u tha atyre: E kam parë atë që keni vepruar (që jeni tubuar për namaz në xhami) dhe nuk më ka penguar që të dal te ju, përveçse frika që mos të ju bëhet obligim një gjë e tillë”. [1]

Gjithashtu thotë AbduRahman ibn AbdulKarij: “Dola me Omer ibn Hatabin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) në një natë të Ramazanit në xhami dhe i pamë njerëzit të shpërndarë, secili falej në vete, e dikush falej me ndonjë grup. Atëherë Omeri tha: ‘Unë e shoh që sikur t’i bashkojmë këta pas një lexuesi (imami) do të jetë më mirë.’ E pastaj vendosi dhe i bashkoi ata pas Ubej ibn Ka’bit (Allahu qoftë i kënaqur me të!)”. [2]

Kështuqë, ky veprim ka bazë në sunetin e Pejgamberit ﷺ dhe nuk mund të llogaritet prej bidateve. Edhepse dikush mund të thotë: Këto argumente flasin për teravinë, e jo për namazin e natës! Atëherë shtrohet pyetja: A nuk është edhe vetë teravia namaz nate?!

E në këtë kohë, shumica e atyre që e kanë kundërshtuar këtë veprim, janë nga ata që thonë dhe pranojnë se bidati mund të jetë i mirë, ose i keq! Atëherë (sipas tyre) pse mos të jetë edhe ky një bidat i mirë?!

Ndërsa namazi i natës jashtë muajit të Ramazanit me xhematë, nuk është prej sunetit nëse bëhet në mënyrë të organizuar dhe në kohë të caktuar. Por, nëse dikush e gjen dikënd duke falur namaz nate dhe lidhet të falet pas tij, kjo është në rregull dhe e lejuar, sikur që ka vepruar Hudhejfeja, apo Ibn Mes’udi, në namazin e natës pas Pejgamberit ﷺ.

Allahu e di më së miri.

Hoxhë Omer Bajrami

——————————–

[1] Buhariu dhe Muslimi

[2] Buhariu