Pyetja:

Në namaz kur falemi, kam pa disa persona që  kur kthehen nga rukuja i lidhin duart përsëri si në fillim të namazit. Si është sipas sunetit dhe a ka argumente të forta për këtë apo nuk duhet të lidhen duart?
Pyetja e dytë, unë lexoj Kuran mirëpo më së shumti lexoj arabisht se shqip, tash si është më mirë shqip të lexoj apo arabisht? Sepse tash vjen edhe muaji i Ramazanit dhe dua të di që të lexoj më shumë arabisht apo shqip, sepse unë nuk e kuptoj arabishten.

***

Përgjigjja:

Falenderimi i takon Allahut, ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Sa i përket lidhjes së duarve pas ngritjes nga rukuja, dijetarët kanë ndryshumar mendimet e tyre:

– Disa prej dijetarëve janë të mendimit se lidhja e tyre pas rukusë është sunet, ngase hadithi i cili flet për lidhjen e duarve është i përgjithshëm dhe prej tij mund të nënkuptohet lidhja e duarve para rukusë dhe pas saj.

– Ndërsa shumica e dijetarëve janë të mendimit se lidhja e duarve pas rukusë nuk është prej sunetit të Pejgamberit ﷺ, ngase për këtë nuk ka ndonjë argument. (Ky është dhe mendimi i Shejh Albanit, i cili lidhjen e duarve pas rukusë e llogaritë edhe bidat)

Muhadithi Ebu Is’hak El-Huvejni ka thënë: “Më e vërtetë është moslidhja e duarve pas rukusë, ngase qëndrimi pas rukusë është qëndrim i veçantë, për të cilin kërkohet edhe argument i veçantë… E nëse njeriu analizon transmetimet e shokëve të Pejgamberit ﷺ e sheh se ata nuk kanë lënë asgjë pa na e transmetuar, bile na kanë transmetuar edhe mbajtjen e gishtave të hapur në gjunjë (gjatë rukusë) dhe bashkimin e tyre gjatë tekbirit fillestar, dhe pas gjithë këtyre transmetimeve me kaq precizitet, mos të na përcjellë asnjë prej tyre asnjëherë se pas (ngritjes nga rukuja dhe) thënies: SemiAllahu limen hamideh, të lidhet dora e djathtë mbi të majtën?!”

Kështuqë mendimi të cilin mendojmë se është më i saktë, është mendimi i shumicës së dijetarëve, se duart lëshohen pas ngritjes nga rukuja dhe nuk është sunet lidhja e tyre.

Ndërsa sa i përket leximit të Kuranit, nuk ka dyshim se leximi i tij bëhet në gjuhën arabe dhe leximi i tij në gjuhën shqipe nuk ka mundësi të arrijë në vlerën dhe shpërblimin e tij në gjuhën arabe.

Allahu e di më së miri.

Hoxhë Omer Bajrami