Punoj te një klient, i cili ka një magazinë me produkte teknike, të cilave unë i bëj reklamë në rrjetet sociale. Mirëpo tani e kam kuptuar se disa nga këto produkete që janë të importuara nga jashtë, janë të vjedhura.

A më lejohet një punë e tillë, ku detyra ime është vetëm reklamimi i produkteve në platformat digjitale?

Përgjigjja: Falënderimi i takon vetëm Allahut të Lartësuar, përshëndetjet lëvdatat të Dërguarit të Tij.

Vjedhja e gjësendeve me vlerë, konsiderohet prej mëkateve të mëdha, madje për këtë mëkat të shëmtuar, parashihet ndëshkim i sanksionuar me norma sheriatike edhe në këtë botë.

I Dërguari ﷺ, kur ua merrte besatimin atyre që e pranonin Islamin, u thoshte: “Më jepni besën se nuk do t’i bëni shok Allahut, nuk do të vidhni dhe nuk do të bëni zina (kurvëri)”. (Shënon Buhariu). Gjithashtu thotë: “Allahu e mallkoftë vjedhësin”. (Shënon Buhariu dhe Muslimi).

   Pastaj, dijetarët islamë konsiderojnë se vjedhësi në asnjë mënyrë nuk mund të bëhet pronar i ligjshëm i gjësendeve të vjedhura, dhe si i tillë, shitja e gjësendeve që nuk janë pronë e tij është e pavlefshme, pra, kontrata e shitblerjes nuk llogaritet e vlefshëm, përderisa shitësi i produktit nuk është pronar i plotëfuqishëm i tij.

   Bazuar në këtë, ty nuk të lejohet reklami i prudukteve të vjedhura, ngase me reklamimin e tyre ndihmohet vjedhësi në mëkatin e vjedhjes, gjithashtu ndihmohet realizimi i kontratave të shitblerjes të pavlefshme fetarisht.

   Gjithashtu kërkohet prej teje që, në suaza të mundësive tua, ta këshillosh këtë person të largohet nga ky mëkat i shëmtuar, sepse ndoshta pendohet përmes duarve tua dhe largohet nga ky mëkat.

   Allahu e di mës së miri.

Hoxhë Dr. Rasim Haxha