Pyetje:

A lejohet të lexohet Kurani (d.m.th. të bëhet hatme) i ndarë në xhuze nga disa persona (të cilët ndodhen nëpër gjithë vendet e botës) për një person të sëmurë rëndë, apo e njëjta gjë d.m.th. hatme për udhëzimin e vëllezërve në rrugë të drejtë?

Përgjigja:

Në lidhje me ndarjen e hatmes së Kuranit mes disa personave dhe dhurimin e shpërblimit për dikë tjetër, qoftë për shërim, për udhëzim apo për shpërblim të të vdekurve, nuk ka ndonjë argument nga Kurani dhe Suneti që ta mbështesë këtë praktikë.

Adhurimi duhet të jetë në përputhje me atë që ka ligjëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij (alejhi selatu ue selam), dhe çdo vepër që nuk mbështetet në Kuran dhe Sunet konsiderohet risi (bidat), sidomos kur bëhet si praktikë e rregullt.

Ja disa argumente që tregojnë se ndarja e hatmes në grup për një të sëmurë apo për udhëzim të dikujt nuk ka bazë fetare:

1. Profeti(alejhi selatu ue selam) ka ndaluar shpikjet në fe, duke thënë:
“Kush shpik diçka në fenë tonë që nuk është prej saj, ajo është e refuzuar.”
(Buhariu dhe Muslimi)
Dhe nuk ka asnjë transmetim nga Profeti (alejhi selatu ue selam), as nga sahabët, që të kenë ndarë hatmen në grup dhe t’ia kenë dhuruar shpërblimin dikujt tjetër, qoftë për të sëmurët apo për të udhëzuar të tjerët.

2. Leximi i Kuranit është ibadet personal dhe nuk ka argumente që shpërblimi i tij mund t’i shkojë dikujt tjetër. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:
“Dhe se njeriu nuk ka tjetër përveç asaj që ka bërë vetë.” (En-Nexhm: 39)

3. Profeti (alejhi selatu ue selam) dhe sahabët nuk e kanë praktikuar ndarjen e hatmes në grup për dikë tjetër, edhe pse ata kishin të sëmurë dhe njerëz që kishin nevojë për udhëzim. Sikur të ishte një vepër e mirë, ata do ta kishin bërë të parët.

4. Profeti (alejhi selatu ue selam) ka thënë:
“Kur njeriu vdes, i ndërpriten veprat, përveç tre gjërave: sadakaja e vazhdueshme, dija që sjell dobi dhe një fëmijë i devotshëm që lutet për të.”
(Muslimi)
Në këtë hadith nuk përmendet leximi i Kuranit si vepër që mund t’i shkojë dikujt tjetër.

Mënyrat më të sakta për të ndihmuar një të sëmurë apo për të kërkuar udhëzim për dikë:

1. Bërja e duasë së sinqertë, siç ka thënë Profeti (alejhi selatu ue selam) për të sëmurët:
“O Allah, Zoti i njerëzve! Largoje të keqen dhe shëroje, Ti je Shëruesi. Nuk ka shërim veç shërimit Tënd, shërim që nuk lë pas sëmundje.”
(Buhariu dhe Muslimi)

2. Rukja me Kuran dhe dua, siç ka bërë Profeti (alejhi selatu ue selam) duke lexuar suren El-Fatiha dhe ajete të tjera mbi të sëmurët.

3. Këshillimi dhe dua për udhëzim. Në vend të ndarjes së hatmes, është më e dobishme të këshillojmë me urtësi dhe të lutemi për udhëzimin e tyre.

Së fundi

Motër e dashur, çdo e mirë vjen vetëm kur ndjekim rrugën e Profetit (alejhi selatu ue selam). Nuk kemi nevojë të shpikim praktika pa bazë fetare, kur ka mënyra të sakta e të begata për t’iu lutur Allahut. Po bëre dua të sinqertë, Allahu të dëgjon.

Allahu e di më së miri!

Dr. Adelina Kuçana