Pyetje: A i lejohet udhëtarit që t’i bashkojë dhe t’i shkurtojë të dyja (namazet e ditës dhe të natës) gjatë rrugës së tij? Allahu ju shpërbleftë me të mira.
Përgjigjje: Udhëtari i shkurton dhe i bashkon (namazet), nuk ka problem për të, madje kjo është sunet. Shkurtimi është sunet, dhe shkurtimi është që t’i falë namazet me katër rekate me dy rekate: drekën, ikindinë dhe jacinë, pra ky quhet shkurtim.
Ndërsa bashkimi është që t’i bashkojë ikindinë me drekën dhe akshamin me jacinë. Ky quhet bashkim.
Disa nga njerëzit e thjeshtë, gabojnë në këtë dhe e quajnë bashkimin shkurtim, por e sakta është që bashkim do të thotë bashkimi i drekës me ikindinë dhe i akshamit me jacinë. Ky quhet “xhem’a” bashkim, ndërsa shkurtimi “kasr” nënkupton që ta falë drekën dy rekate, ikindinë dy rekate dhe jacinë dy rekate. Ky quhet shkurtim.
Pra, udhëtarit i lejohet që t’i shkurtojë namazet përderisa është në udhëtim. E fal drekën dy rekate, ikindinë dy rekate dhe jacinë dy rekate, edhe nëse i fal në kohën e tyre dhe nuk i bashkon, shkurtimi është sunet. Por nëse lind nevoja për bashkim, atëherë i bashkon.
Si për shembull: nëse vendos të niset pas zenithit – kalimit të diellit –, atëherë është më e vlefshme për të që ta bashkojë ikindinë me drekën dhe t’i falë me bashkim të paraprirë, pastaj të niset. Po ashtu, nëse niset pas perëndimit të diellit nga një vend në një vend tjetër gjatë udhëtimit, atëherë është më e vlefshme për të, që ta bashkojë jacinë me akshamin me bashkim të hershëm.
Po ashtu edhe anasjelltas, nëse niset para zenithit, atëherë është sunet për të që ta vonojë drekën (ta falë) me ikindinë, që të jenë bashkim i vonuar, ose nëse niset para perëndimit të diellit, atëherë është më e vlefshme që ta vonojë akshamin me jacinë dhe t’i falë me bashkim të vonuar – kështu vepronte i Dërguari ﷺ.
Ndërsa, nëse është vendosur në një vend dhe është i rehatuar, atëherë e fal çdo namaz në kohën e vet, kjo është më e mira.
Për këtë arsye, (Profeti ﷺ) kur ishte në Mina gjatë Haxhit të Lamtumirës, i fali namazet në kohët e tyre dhe nuk i bashkoi. E fali drekën në kohën e saj në ditën e Bajramit, ikindinë në kohën e saj, akshamin në kohën e saj dhe jacinë në kohën e saj, dhe kështu ditët e tjera (të teshrikut).
Pra, përfundimi është se i vendosuri (në një vend që nuk do lëvizë prej atij vendi) dhe i rehatuari edhe nëse është udhëtar, më e vlefshme për të është të mos i bashkojë namazet, edhe nëse është gjatë udhëtimit në shkretëtirë, më mirë është mos t’i bashkojë (porse i fal të shkurtuara në kohën e tyre), por nëse ka nevojë për bashkim, atëherë nuk ka asnjë problem në këtë. Po.
Moderatori: Allahu ju shpërbleftë me të mira.
Shekh Bin Baz (Allahu e mëshiroftë)
Burimi: https://binbaz.org.sa/fatwas/8858/مشروعية-الجمع-والقصر-للمسافر-اثناء-سفره
Përktheu: Bilal Bilali




