Pyetja:

Allahu Madhëruar thotë: “Allahu është Drita e qiejve dhe e Tokës…” (Nur: 35)

Por, a është “En-Nur” prej emrave të bukur të Allahut të Madhëruar?

***

Përgjigjja:

Dijetarët kanë mendime të ndryshme në lidhje me këtë çështje.

Mendimi i parë: “En-Nur” është prej emrave të bukur të Allahut të Madhëruar. Bazuar në fjalën e Tij: “Allahu është Drita e qiejve dhe e Tokës…” (Nur: 35)

Imam Ibnul-Kajjim (Allahu e mëshiroftë!) është i mendimit se “En-Nur” është prej emrave të bukur të Allahut. Ai (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Allahu i Lartmadhëruar e ka quajtur Veten e Tij “Nur”, Librin e Tij e ka bërë dritë, të Dërguarin e Tij, ﷺ, dritë, fenë e Tij dritë, është mbuluar nga krijesat e Tij me dritë dhe e ka bërë vendbanimin e të dashurve të Tij dritë që vezullon (shkëlqen).” [1]

Po ashtu, ai përmend në poemën e tij “En-Nunijeh” (fq. 212) se “En-Nur” është prej emrave të bukur të Allahut të Madhëruar.

Ibën el-Huzejme (Allahu e mëshiroftë!) ka përmendur se “En-Nur” është prej emrave të bukur të Allahut të Madhëruar.

Imam Abdurrahman es-Sadij (Allahu e mëshiroftë!) në tefsirin e tij thotë se “En-Nur” është prej emrave të Allahut të Madhëruar.

Shejh Salih el-Feuzani thotë: “En-Nur” është prej emrave të Allahut. [2]

Mendimi i dytë: “En-Nur” nuk është prej emrave të bukur të Allahut të Madhëruar.

El-Lexhneh ed-Daimeh është pyetur: A lejohet vendosja e emrit “Abdunur”?

Ata thanë: Emrat e Allahut të Madhëruar janë teukifije (merren vetëm nga Kurani dhe suneti autentik). Kështu që, nuk saktësohet se “En-Nur” është prej emrave të Allahut të Madhëruar. Nisur nga kjo nuk lejohet të thuhet “Abdunur”. [3]

Shejh Albani: “Nuk di që “En-Nur” të jetë emër prej emrave të Allahut të Lartësuar në hadithin autentik”. [4]

Shejh Abdurrahman el-Berrak: Nuk më kujtohet se transmetohet diçka në hadithet autentike se “En-Nur” është prej emrave të Allahut. Ibnul Kajjimi (Allahu e mëshiroftë!) ka pohuar se “En-Nur” është prej emrave të Allahut, por ai nuk ka sjellë ndonjë argument. Ajo që transmetohet në Kuran dhe Sunet është se: “Allahu është Drita e qiejve dhe e Tokës.” Prandaj, nëse thuhet: Prej emrave të Allahut është “Drita e qiejve dhe e Tokës”, kjo po. [5]

Shejh Abdulaziz er-Raxhihi thotë: “En-Nur” është cilësi prej cilësive të Allahut të Madhëruar. Kjo transmetohet si shtesë ndaj emrit të Allahut “Drita e qiejve dhe e Tokës”, por nuk transmetohet e veçuar (vetëm “En-Nur”). Prandaj nuk thuhet: prej emrave të Allahut të Madhëruar është “En-Nur”, sepse një gjë e tillë nuk transmetohet.

Allahu e di më së miri!

Përmblodhi: Unejs Sheme