Pyetje:
Nëse dikush merret me riparimin e celularëve dhe me shitjen e tyre, dhe gjatë riparimit të pjesës së pasme telefoni humbet pak nga aftësia e tij për t’i rezistuar ujit, a duhet që kjo të përmendet në përshkrimin e telefonit kur shitet, dhe nëse nuk e tregon, a është e ndaluar (haram) e ardhura e tij?

Përgjigje:
Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi ﷺ është robi dhe i Dërguari i Tij.

Çdo mangësi në produktin e shitur, të cilën blerësi e urren dhe për shkak të së cilës i zvogëlohet dëshira për ta blerë, shitësi është i detyruar ta sqarojë, edhe nëse blerësi nuk e pyet për të.

El-Kharshi (rahimehullah) ka thënë në “Sherh Mukhtasar Khalil”:
“Çdo shitës, qoftë në murabaha apo në një shitje tjetër, duhet t’i tregojë blerësit çdo gjë që ai e urren në mallin e blerë dhe që i zvogëlon dëshirën për ta blerë.”

Në rastin tënd, fakti që telefoni ka humbur disi aftësinë për t’i rezistuar ujit, është diçka që me gjasë blerësi e urren, dhe për rrjedhojë kjo konsiderohet si një mangësi që duhet t’i shpjegohet atij.

Kush shet një telefon të tillë pa ia sqaruar defektin, shitja është e vlefshme sipas mendimit të shumicës së dijetarëve, por shitësi bart mëkatin e fshehjes së mangësisë. Për t’u penduar nga kjo, shitësi duhet ta informojë blerësin për defektin. Nëse ai e fal dhe është i kënaqur me çmimin e mëparshëm, kjo është në rregull; në të kundërt, ai ka të drejtë të zgjedhë mes kthimit të produktit dhe marrjes së kompensimit për defektin. Nëse shitësi nuk është më në gjendje ta gjejë blerësin, atëherë duhet të japë në sadaka shumën që përfaqëson vlerën e defektit, me nijet që shpërblimi t’i shkojë blerësit. Shitësi nuk humbet çmimin e telefonit në këtë rast, përveç pjesës që përfaqëson mashtrimin.

Shejh’ul-Islam Ibn Tejmijje (rahimehullah) ka thënë në “Mexhmu’ el-Fetaua”:
“Kush shet një mall mashtrues, nuk e humbet të gjithë çmimin, por vetëm pjesën që përfaqëson mashtrimin. Këtë pjesë ai duhet t’ia kthejë pronarit, ose ta japë në sadaka në emër të tij nëse nuk është e mundur ta gjejë. Për shembull, nëse shet një mall të dëmtuar (duke mashtruar blerësin) për 10 dirhemë, ndërsa vlera e tij e vërtetë është 8 dirhemë, atëherë shitësi duhet t’ia kthejë 2 dirhemë blerësit nëse e njeh, ose t’i japë në sadaka në emër të tij nëse nuk e njeh.”

Kush dëshiron që shitja e tij të ketë bereqet, le të jetë i sinqertë dhe t’i tregojë blerësit të vërtetën për produktin dhe mangësitë e tij, pa i fshehur as pa e mashtruar, siç ka thënë Profeti ﷺ për blerësin dhe shitësin:
“Nëse tregohen të sinqertë dhe ia sqarojnë njëri-tjetrit të gjitha (shitësi për produktin dhe blerësi për pagesën), do të kenë bereqet në shitblerjen e tyre. Por nëse fshehin diçka dhe gënjejnë, bereqeti do të zhduket nga shitblerja e tyre.”
[Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi]

Allahu e di më së miri.

 

Burimi: islamweb.net / Solli në gjuhën shqipe pergjigje.net/