Pyetja:

A është i vërtetë hadithi “Nëse dorën e vajzës tuaj e kërkon një fetar dhe njeri i moralshëm, atëherë pranojeni këtë lidhje. Në të kundërt do të ndodhë fitne në tokë dhe degjenerim i madh.”

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Hadithi:
“Nëse ju vjen ai me fenë dhe moralin e të cilit jeni të kënaqur, atëherë martojeni. Përndryshe do të ketë fitne (sprova) në Tokë dhe prishje të madhe.”

Këtë hadith e shënon Tirmidhiu, Ibën Maxheh dhe Ebu Davudi në librin: “El Merasil”.

Shkencëtarët e hadithit e kanë shtjelluar zinxhirin e këtij hadithi dhe ka mendime se a mund të fuqizohet apo jo. Ka shumë muhadithinë që e kanë vlerësuar se është i dobët, pasi këtë hadith e transmeton tabiini prej Muhamedit ﷺ. Mirëpo hadithi ka edhe një transmetim tjetër nga Ebu Hurejra, me të cilin mund të përforcohet dhe ta arrijë shkallën e hadithit hasen. Këtë e thotë Albani [1] dhe Mubarekfuri. [2] Zoti e di më së miri!

Alaudin Abazi

——————–
[1] “Irvaul Galil”, vëll.6, f.266

[2] “Tuhfetul Ahvedhi”, vëll.3, f. 538.