Pyetja:

A është më mirë të përzihem me njerëz (me shoqëri), apo të vetmohem?

***

Përgjigjja:

Kjo çështje edhe pse njerëzit dallohen rreth saj, ose pjesërisht apo plotësisht – realiteti i saj është se të përzierit me njerëz ndonjëherë është obligim apo e rekomanduar. I njëjti individ nganjëherë ka mundësi të urdhërohet të përzihet me të tjerët, dhe në kohët tjera mund të urdhërohet që të ndahet prej tyre.

Të përzierit, nëse përfshin bashkëpunim në të mirë dhe devotshmëri, është obligim, dhe nëse përfshin bashkëpunim në mëkat dhe tejkalim të kufijve, është i ndaluar. Të përzierit me muslimanët me qëllim të ibadeteve me xhemat, siç janë pesë kohët e namazit, namazi i xhumasë, namazi i bajramit, namazet e eklipseve, namazit për shi (istiska), etj, është prej asaj çka Allahu dhe i Dërguari i Tij ﷺ, kanë urdhëruar…… po ashtu, në një tubim ku adhuruesi ka mundësi ta shtojë imanin e tij – ose për shkak të dobisë që ka prej tij, apo se ai është i dobishëm për ata – është e të njëjtës kategori.

Sidoqoftë, një person duhet të ketë kohë për veten e tij që të merret me dua, dhikr (përmendje të Allahut), namaz, meditim, ta llogarisë veten e tij, dhe ta përmirësojë zemrën e tij. Këto janë çështje që askush s’mund të marrë pjesë me atë në ato, dhe këto janë çështje që duhet të shihen në baza individuale, qoftë ajo në shtëpinë e tij apo gjetke. Siç thotë Tausi: “Sa strehim i shkëlqyeshëm është shtëpia! Në atë, njeriu mund ta frenojë shikimin dhe gjuhën e tij.”

Pra, të zgjedhësh që të përzihesh me njerëzit pa kufizime është gabim, dhe të zgjedhësh që të ndahesh prej njerëzve pa kufizime është gabim.

Ibn Tejmija Mexhmu, “Mexhmua el Fetaua” 10/218

Perktheu: Shuajb Rexha