Pyetja:

A është mëkat nëse nuk e falim namazin e vitrit?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ

Vitri nuk është i domosdoshëm siç janë pesë namazet obligative, por nëse ndodh t’i kaloj koha pa e falur, fale atë pas namazit të sabahut, në kohën e paraditës, sepse kështu ka vepruar i Dërguari i Allahut ﷺ.

I Dërguari i Allahut ﷺ e falte vitrin dhe tha: “O ju ithtarët e Kuranit! Faleni vitrin (tekun), sepse Allahu është Tek dhe e do tekun!” [1]

Ky namaz përbëhet nga një rekat, së paku, dhe njëmbëdhjetë rekate më e shumta. Profeti ﷺ ka thënë: “Fundin e namazit tuaj të natës faleni tek.” [2]

Transmetohet nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kush frikësohet se nuk do të zgjohet në fund të natës, le ta falë vitrin para se të flejë, kurse ai që është i sigurt se do të ngrihet në fund të natës, ta falë në fund të saj, sepse leximi i Kuranit në fund të natës është i dëshmuar (prezantojnë engjëjt) dhe kjo është më e mira.” [3]

Ibn Tejmije ka thënë: “Namazi i vitrit është nga sunetet e theksuara (të padiskutueshme) me pajtueshmërinë e të gjithë muslimanëve. Ai që e bën zakon braktisjen e tij, dëshmia e tij refuzohet. Vitri është më me vlerë sesa sunetet e drekës, akshamit apo jacisë, pra, vitri është më i mirë sesa të gjitha namazet vullnetare të ditës siç është namazi i duhasë. Madje namazi më i mirë pas atyre të obliguara është namazi i natës, kurse më i vlefshmi nga këto namaze vullnetare është vitri dhe dy reqatet e sunetit të sabahut.” [4]

Hoxhë Bekir Halimi

—————————

[1] Ibën Maxhe (1169)

[2] Muteffekun alejhi

[3] Muslimi

[4] “Mexhmu’ul Fetava” (23/88)

Comments are closed.