Pyetje: Nëse e fal farzin e sabahut pasi ka lindur dielli dhe dëshiron të falësh sunetet e sabahut, a falen ato pas farzit? Dhe a mund të bashkohen sunetet e sabahut me namazin e duhës?
Përgjigja: Falenderimi i takon Allahut.
Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij.
Ue alejkum selam!
Së pari:
Allahu e ka përcaktuar faljen e namazit në kohë të caktuar, ashtu siç thuhet në Kur’an:
“Me të vërtetë, namazi është detyrë e obligueshme për besimtarët në kohë të caktuar.” (Sure Nisa: 103)
Muslimani duhet të përpiqet që të falë namazin në kohën e tij. Koha e namazit të sabahut fillon nga lindja e agimit dhe zgjat deri në lindjen e diellit. Prandaj, duhet përdorur çdo mundësi për t’u zgjuar dhe falur namazin para lindjes së diellit, sepse, siç përmendet në ajet, namazi ka kohën e vet të përcaktuar.
Po ashtu, kur Profeti Muhammed, salallahu alejhi ue selem, u pyet për veprën më të mirë te Allahu, ai tha: “Namazi në kohën e tij.”
Nga ana tjetër, Allahu paralajmëron në Kur’an ata që nuk kujdesen për namazin duke mos e falur në kohën e duhur:
“Pra, shkatërrim është për ata që falen, por janë të pakujdesshëm ndaj namazit të tyre.”
(Sure Ma’un: 4-5)
Së dyti:
Nëse zgjohesh nga gjumi dhe ka kaluar koha e namazit të sabahut, atëherë fillon me faljen e suneteve të sabahut dhe më pas farzin. Kjo është ajo që ka bërë Profeti, salallahu alejhi ue selem, kur e ka kapur gjumi dhe sahabet kur u zgjuan pasi kishte kaluar koha e namazit të sabahut. Ai falte fillimisht sunetet dhe më pas farzin e sabahut.
Së treti:
Lejohet bashkimi i suneteve të sabahut me namazin e duhës.
Lus Allahun që të na bëjë ne dhe ju prej atyre që falin namazin në kohën e tij dhe kujdesen për këtë obligim të rëndësishëm.
Allahu e di më së miri!
/Përgjigje nga Dr. Adelina Kuçana/




