Pyetja:

A është obligim namazi, apo a është namazi borxh ndaj Zotit, si thonin pleqtë?

***

Përgjigjja:

Unë me këtë rast nuk do të hyj në interpretim të fjalës së pleqve, por do të jap një sqarim se çka është namazi. Namazi është një nga pesë shtyllat e Islamit që e ka përmendur edhe Pejgamberi ﷺ në hadithin vijues: ”Islami qëndron mbi këto pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet, përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguar i Tij; faljen e namazit; dhënien e zekatit; kryerjen e haxhit dhe agjërimin e muajit të Ramazanit.” [1]
Allahu i Madhërishëm në Kuranin famëlartë na urdhëron ta falim namazin duke thënë: ’’ve ekimussalate’’ (Dhe falnie namazin…). Urdhërimi i një veprimi në mënyrë imperative, në të drejtën islame ka kuptimin e farzit. Gjegjësisht, ai veprim që urdhërohet të kryhet në mënyrë imperative është farz, derisa nuk ka ndonjë argument tjetër që e ul nga ky nivel i obligueshmërisë. Për atë, namazi është urdhër i Allahut të Madhërishëm. Si kategori e të drejtës islame, namazi është farz, e që nënkupton një veprim që duhet të bëhet domosdo, dhe kjo domosdoshmëri është vërtetuar me argumente të prera dhe të drejtpërdrejta në burimet islame. Ky është statusi i namazit në Islam.

Po mund të thuhet edhe ajo se namazi është borxh ndaj Allahut. Kjo, ngase i Dërguari i Allahut ﷺ, në një hadith të tij e ka cilësuar haxhin si borxh ndaj Allahut të Madhërishëm. Me fjalë tjera, në një rast është pyetur nga një person se a mund ta bëjë haxhin për nënën e tij që i kishte vdekur. I Dërguari i Allahut ﷺ, ia ka kthyer me një pyetje, dhe i ka thënë: ”Çka mendon, nëse nëna jote ka borxh, a do t’ia kishe paguar borxhin?” Personi ishte përgjigjur: ”Po.” Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ, i ka thënë: ”Borxhi i Allahut është më meritor të paguhet”. Pra, në këtë hadith, haxhin e ka quajtur borxh ndaj Allahut. E haxhi është farz si namazi, pra edhe farzet tjera janë borxh ndaj Allahut të Madhërishëm.

Mendoj se përdorimi i cilitdo term këtu, nuk ndryshon gjë. Me rëndësi është ajo se ne jemi të obliguar t’i falim pesë kohë namaz për çdo ditë. Ky obligim është urdhër i Allahut të Madhërishëm në librin e Tij dhe përmes gjuhës së të Dërguarit të Tij, Muhamedit ﷺ. Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu

—————————–

[1] Buhariu 8