Pyetja:

A është ndonjë kohë gjatë ditës kur preferohet gjumi?

***

Përgjigjja:

Ibn Kajimi ka thënë: “Gjumi i ditës trashëgon sëmundje të lagështa dhe fatkeqësi, e prish ngjyrën, trashëgon sëmundjen e shpretkës, dobëson nervat, sjell përtaci, dobëson epshin, pos (gjumit) në kohën e drekës gjatë verës, më i keqi është gjumi në fillim të ditës, më i keq se ky është gjumi në fund të ditës pas ikindisë.
Abdullah Ibn Abbasi e pa një djal të tij duke fjetur pas sabahut dhe i tha: Çohu, a po fle në kohën kur ndahet rizku?
Andaj është thënë: gjumi ditës është tri llojësh: virtyt, djegie dhe budallallëk.
Virtyt është: gjumi në mesditë, ky ishte virtyti i të Dërguarit të Allahut ﷺ. Djegie është gjumi në mëngjes, të largon nga çështja e dunjasë dhe Ahiretit.
Budallallëk është: gjumi në ikindi.
Disa nga brezat e parë thonin: Kush fle pas ikindisë dhe i grabitet mendja, mos ta qortojë pos veten e tij.”
Zadul Mead 4/221-222

Hoxhë Zejd Haziri