Nuk konsiderohet nga mëkatet e mëdha nëse namazi vonohet dhe nuk falet menjëherë në fillim të kohës. Allahu ka caktuar një kohë të caktuar për çdo namaz, që përfshin fillimin dhe fundin e saj. Për sa kohë namazi falet brenda këtij intervali, nuk ka mëkat. Megjithatë, për disa namaze, siç është ikindia, ka dallime në kohë:

Koha me vlerë – fillimi i kohës së namazit.

Koha e urryer – pak para perëndimit të diellit, kur dielli fillon të skuqet.

Falja e farzit të ikindisë në kohën e urryer konsiderohet e papëlqyeshme dhe mëkat. Pejgamberi (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Ky është namazi i mynafikëve.” Mynafikët presin deri në afërsi të perëndimit të diellit dhe pastaj e falin shpejt katër rekat farz, gjë që myslimani duhet ta shmangë.

Nëse një person e shtyn namazin e ikindisë qëllimisht deri në kohën e urryer, ai bën mëkat, por namazi i tij ende pranohet, përderisa e fal të paktën një rekat para perëndimit të diellit, siç është përmendur në hadithe të tjera.

Koha më e mirë për faljen e namazit

Falja e namazit në fillim të kohës është mënyra më e mirë për të përmbushur obligimin dhe për të treguar përkushtimin ndaj Allahut. Pejgamberi Musa (alejhi selam) ka thënë: “… unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde.” (Ta Ha, 84).

Gjithashtu, duke qenë se momenti i vdekjes është i fshehur, një person që vonon faljen e një namazi mund të mos ketë mundësinë ta falë atë nëse vdes. Prandaj, është më mirë që namazi të falet në fillim të kohës së tij, përveç për raste specifike si namazi i jacisë.

Namazi i jacisë
Sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, është më mirë që namazi i jacisë të shtyhet, nëse personi falet vetëm. Nëse falet me xhemat, atëherë duhet ndjekur vendimin e xhematit, dhe nëse ata vendosin ta shtyjnë, është më mirë. Kjo ishte praktika e Pejgamberit (salAllahu alejhi ue selem) me shokët e tij, duke e falur pasi ka kaluar pjesa e parë e natës.

Disa dijetarë, si Imam Shafiu, sugjerojnë faljen e jacisë në fillim të kohës, por shumica pajtohen se shtyrja është më e vlefshme nëse nuk ka pengesa për këtë.

Namazi i sabahut
Dijetarët kanë mendime të ndryshme për namazin e sabahut:

Hanefitë – Është më mirë të falet kur fillon të zbardhet.

Të tjerët – Është më mirë të falet në fillim të kohës, si namazet e tjera.

Pejgamberi (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Fale namazin e sabahut kur të zbardhet, ngase shpërblimi është më i madh!” Disa dijetarë e interpretojnë këtë hadith si nxitje për të mos nxituar në faljen e namazit para hyrjes së kohës.

Në kohën e tij, Pejgamberi (salAllahu alejhi ue selem) e ka falur sabahun kur ende ishte errësirë, por në fund të jetës së tij e ka falur në fillim të kohës. Për këtë çështje ka argumente për të dyja palët, dhe çdo medhheb ka pikëpamjet e veta.

Hoxhë Lulzim Perçuku