Pyetja:

 A është e ndaluar të i heqim qimet e këmbës, unë luaj futboll dhe shumë shok të mi i heqin qimet në këmbë, sa është e lejuar kjo gjë?

***

Përgjigjja:

Qimet në trupin e njeriut, në përgjithësi, mund të ndahen në tre grupe, edhe atë:
1) Qime që jemi të porositur t’i heqim. Këtu bëjnë pjesë qimet e nënsqetullave dhe qimet në disa pjesë tjera të trupit;
2) Qime që jemi të porositur të mos i hekim. Këtu bëjnë pjesë qimet e vetullave;

3) Qime për të cilat nuk ka porosi as për t’i hekur e as për të mos i hekur. Këto quhen “meskut anha” (për të cilat nuk është folur, apo është shuar). Këtu bëjnë pjesë qimet e këmbëve, krahëve, etj.

Këto qime, sipas mendimit më të drejtë të dijetarëve, lejohen të hiqen, ngase nuk ka ndonjë argument konkret që e ndalon. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Hallall është ajo që e ka lejuar Allahu në librin e Tij, haram është ajo që e ka ndaluar Allahu në librin e Tij, e ajo për të cilën ka shuajtur, është e falur nga ana e Allahut”. [1]
Në librin e Allahut, dhe as në sunetin e Pejgamberit ﷺ, nuk ka argument që ndalon heqjen e qimeve të këmbës dhe të pjesëve tjera të trupit për të cilat nuk ka ndalesë. Për atë, nuk ka pengesë që të hiqen qimet e këmbëve.

Dijetarët theksojnë se kjo nuk duhet të bëhet me qëllim që mashkulli t’u ngjajë femrave, nëse eventualisht dikush mund ta ketë këtë qëllim me heqjen e qimeve të këmbëve apo të pjesëve tjera të trupit.

Me këtë rast, nuk e shoh shumë të rëndësishme që të përmendet se disa e kanë ndaluar heqjen e qimeve të këmbëve me pretekst se me këtë, ndryshohet krijatura e Allahut. Por, ky shpjegim është jo i drejtë dhe jo i mbështetur në argumente, për atë edhe nuk ngre peshë të përmendet.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu

—————–

[1] Tirmidhiu