Ky namaz dy rekate mes ezanit të akshamit dhe ikametit preferohet dhe pëlqehet për çdo besimtar, pa dallim gjinije.
Argumentet:
- Nga Ibn Burejde se Abdullah Muzeniu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Faluni para namazit të akshamit.” Herën e tretë ka thënë: “Kush të dëshirojë”, nga frika se njerëzit do ta konsideronin sunet. (Buhariu 1183)
- Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kam parë se shokët e vjetër të Pejgamberit ﷺ, kur thirrej ezani i akshamit, garonin për t’u falur afër shtyllave.” (Buhariu 503)
- “Teksa ishim në Medinë dhe pasi myezini e thërriste ezanin për namazin e akshamit, sahabët nxitonin për te shtyllat (e xhamisë) dhe i falnin dy rekate. Po qe se ndonjë i huaj hynte në xhami, mendonte se namazi (i akshamit) ishte falur, nga numri i madh i atyre që e falnin këtë namaz.” (Muslimi 837)
Shprehja: “nga frika se njerëzit do ta konsideronin sunet” – ka për qëllim që ky namaz të mos konsiderohet si ato 12 rekate sunete të lidhura me farze.
Allahu e di më së miri
Hoxhë Zeki Qerkezi




