Pyetja:
Tre muajt para Ramazanit a është sevap të agjërohen?
***
Përgjigjja:
Po, është e vërtetë se në mesin e popullatës tonë përmenden këto tre muaj dhe parashtrohen pyetje se kur hynë dhe si duhet vepruar.
Fillimisht të themi se bëhet fjalë për muajt: Rexheb, Shaban dhe Ramazan.
Në burimet e të drejtës islame dhe të trashëgimisë islame në përgjithësi, nuk ka diçka që theksohet si “tre muaj”, gjegjësisht as në Kuran e as në hadithe, nuk ka diçka që theksohet si kategori fetare me emrin tre muaj. Kjo është për sa u përket këtyre tre muajve.
Mirëpo, këto dy muaj para Ramazanit, pra muaji Rexheb dhe Shaban, kanë vlerë si muaj në vete.
Kështu, muaji Rexheb është prej muajve të shenjtë. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Te Allahu numri i muajve është dymbëdhjetë (sipas hënës), ashtu si është në librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë. Kjo është fe e drejtë. Pra, mos e ngarkoni (me mëkat) veten tuaj në ata (katër muaj). Luftoni të gjithë idhujtarët pa dallim, siç ju luftojnë ata juve pa dallim, e dine se Allahu është me ata që ruhen (të këqiave).’ (Teube: 36)
Imam Ahmedi transmenton prej Ebu Bekretes se i Dërguari i Allahut ﷺ kur e bëri haxhin, mbajti fjalim dhe tha: ”Me të vërtetë, koha qarkullon në formën e saj, që në ditën kur Allahu i ka krijuar qiejt dhe token. Viti ka dymbëdhjetë muaj, prej tyre katër janë të shenjtë. Tre janë njëri pas tjetrit: Dhu-l-Ka’ëde, Dhu-l-Hixhxhe dhe Muharrem, si dhe muaji Rexheb i fisit Mudar, i cili është ndërmjet dy Xhumadeve dhe Sha’ëbanit”.
Mirëpo, edhe pse është muaj i shenjtë, nuk është veçuar nga i Dërguari i Allahut ﷺ me agjërim të veçantë, siç e kanë traditë ta bëjnë shumë muslimanë, me pretekst se është prej tre muajve dhe duhet të agjërohet.
Në këtë muaj mund të agjërohen të hënat dhe të enjtet, tre ditët e mesme, pastaj një ditë po dhe një ditë jo. Por, kjo të jetë në bazë të sunetit që vërteton këto lloje agjërimi si praktikë pejgamberike, e jo se është prej tre muajve, dhe jo se i Dërguari i Allahut ﷺ e ka veçuar muajin Rexheb me agjërim, si një nga tre muajt.
Për agjërimin në këtë muaj janë përmendur disa hadithe. Por, dijetarët kanë shpjeguar se këto hadithe nuk janë të sakta. Hafidh Ibn Haxheri ka thënë: ”Nuk ka asnjë hadith sahih-autentik që meriton të merret për argument për vlerën e muajit Rexheb, as për agjërimin në të, as për agjërim të veçantë në të, dhe as për t’u falur në ndonjë natë të veçantë të tij”. Më pastaj Ibn Haxheri ka pohuar se hadithet që flasin për agjërimin e këtij muaji apo të ditëve të caktuara të këtij muaji, janë ose të dobëta ose të trilluara.
Por, të përsërisim edhe një herë: mund të agjërohen të hënat dhe të enjtet, tre ditët e mesme, duke u nisur nga praktika e të Dërguarit të Allahut ﷺ që e ka vërtetuar agjërimin e këtyre ditëve, e jo se janë agjërim i veçantë në muajin Rexheb.
Ndërkaq, muaji Shaban, duhet të dallohet me agjërim, ngase kështu ka vepruar vetë Muhamedi ﷺ. Muslimanët është mirë të agjërojnë sa më tepër në këtë muaj, por jo gjithë muajin. Bile, agjërimi në këtë muaj ka edhe dobi trupore, ngase e parapërgatit trupin për agjërimin e muajit të Ramazanit.
Transmetohet prej Enesit r.a: E kanë pyetur të Dërguarin e Allahut ﷺ: “Cili agjërim është më i miri pas agjërimit të Ramazanit?” I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Agjërimi në muajin Shaban, për shkak të madhërimit të Ramazanit”. [1]
Është transmetuar prej Usame ibn Zejdit r.a. se ka thënë: “E pyeta të Dërguarin e Allahut ﷺ: ‘O i Dërguar i Allahut, shoh se në asnjë muaj nuk agjëron kaq shumë sa në muajin Shaban?” I Dërguari i Allahut ﷺ i është përgjigjur: ”Ky është një muaj që neglizhohet, në këtë muaj ngriten punët te Zoti i botëve. Dëshiroj të ngriten punët e mia duke qenë agjërueshëm”.
Poashtu, është transmetuar edhe prej Aishes r.a se i Dërguari i Allahut ﷺ e ka dalluar muajin Shaban me agjërim.
Të gjitha këto hadithe, vërtetojnë se muaji Shaban veçohet me agjërim, por normalisht, nuk agjërohet i tëri, ngase vetëm muaji Ramazan agjërohet i plotë.
Këtu duhet të theksojmë edhe diçka. Ka raste kur disa muslimanë, nga dëshira për adhurim, i agjërojnë të tre këto muaj rresht, gjegjësisht edhe Rexhebin, edhe Shabanin edhe Ramazanin. Mirëpo, krahas qëllimit të mirë që kanë ata për adhurim, ata e kanë gabuar formën dhe mënyrën e drejtë të adhurimit. Kjo, ngase adhurimi, për të qenë valid, duhet t’i plotësojë dy kushte: nijeti (sinqeritet), dhe mënyra e drejtë-forma duke qenë kompatibil me praktikën e të Dërguarit të Allahut ﷺ. Për këtë, këta muslimanë, me këtë veprim veprojnë në kundërshtim me praktikën e Muhamedit ﷺ, që do të thotë se këtë veprim, në këtë formë, nuk bën ta bëjnë.
Në muajin Rexheb le të agjërojnë agjërimin sunet si në muajt tjerë, ndërkaq muajin Shaban le ta veçojnë me agjërim, por jo ta agjërojnë të tërin.
Allahu e di më së miri.
Dr. Bashkim Aliu
—————————-
[1] Tirmidhiu