Pyetja:

Çfarë thotë Islami për të drejtën autoriale?

***

Përgjigjja:

Këshilli i Akademisë së Fikhut Islam pranë Ligës së Botës Islame, në seancën e mbajtur në Mekke e shqyrtoi çështjen e të drejtave autoriale të autorëve të librave, atyre që bëjnë studime, dhe atyre që bëjnë disertacione shkencore. Në fakt, u shqyrtua ajo se këto të drejta, a janë të drejta të konfirmuara që janë pronë e të zotëve të tyre? A lejohet fetarisht që të jepet kompenzim për këto të drejta dhe të bëhen kontrata për këto të drejta?
A lejohet fetarisht që dikush pos autorit, t’i botojë dhe t’i shet librat dhe studimet e autorit, pa lejen e autorit, duke u thirrur në atë se këto janë të lejuara për çdo kend?Këshillit iu prezantuan disa raporte dhe studime të cilat i përgatitën disa nga anëtarët e Këshillit. Poashtu, Këshilli e shqyrtoi edhe qëndrimin e disa studiuesve bashkëkohor të cilët pretendojnë se autori nuk ka të drejtë legjitime për kompensim material për librat shkencorë që i shruan apo i publikon. Ata këtë qëndrim e mbështesin në argumentin se fetarisht nuk lejohet që dituria të privohet nga njerëzit, por dijetarët e kanë obligim që dijen ta shpërndajnë në mesin e tyre. Kush e fsheh diturinë, Allahu do ta lidh me litar prej zjarri në Ditën e Kijametit. Së këtejmi, çdo person të cilit i bie në dorë në mënyrë legjitime ndonjë ekzemplar libri prej ndonjë autori, ka të drejtë ta shumëzojë, ta shpërndajë dhe ta shesë në treg si të dojë. Autori nuk ka të drejtë që ta pengojë nga kjo punë.

Këshilli e shqyrtoi edhe mendimin e kundërt nga i pari dhe studimet që janë publikuar për të drejtat e shpikjes dhe atë që quhet pronësia intelektuale dhe pronësia e autorësisë, ashtu që çdo autor i një libri, studimi apo vepre artistike, apo zbulues i një mjeti të dobishëm, i vetmi e posedon të drejtën e shitjes, prodhimit dhe publikimit të studimit apo zbulimit të tij, si dhe këtë të drejtë t’ia jep edhe dikujt tjetër me kompenzim apo pa kompenzim, konform kushteve për të cilat merren vesh. Askush nuk ka të drejtë ta publikojë një libër apo studim pa lejen e autorit përkatës. Poashtu, askush nuk ka të drejtë ta kopjojë dhe ta tregtojë një zbulim pa lejen e zbuluesit.

Pas një debati të gjërë, Këshilli arriti në vendimin vijues:

1. Në kohën kur nuk ka patur shtypshkronja dhe shtëpi botuese të cilat kanë mundësi të botojnë dhe publikojnë me mijëra ekzemplare, por mënyrë e vetme e shpërndarjes së librit ka qenë shkrimi me dorë, ashtu që kopjuesi i librit përmes shkrimit me dorë ka ngelur vite të tëra duke e kopjuar një libër të madh, dhe në këtë mënyrë ka arritur të bëjë edhe një kopje tjetër të librit, atëbotë kopjuesi i ka shërbyer autorit. Kjo, ngase sikur të mos kishte punuar kopjuesi në kopjimin e një ekzemplari tjetër të një libri, ai libër do të kishte vetëm një ekzemplar, gjegjësisht atë që e ka shkruajtur vetë autori, e me këtë do të kishte mundësi që libri të humbet nëse kopja origjinale e autorit zhduket. Me këtë, kopjimi i librit në ekzemplare tjera, nuk ka qenë padrejtësi dhe shkelje ndaj autorit, si dhe shfrytëzim i kopjuesit diturinë dhe mundin e tjetrit, por në të kundërtën, ka qenë shërbim dhe publikim i diturisë dhe mundit të autorit.

2. Pas paraqitjes së shtypshkronjave, kjo çështje ka marrur krejt karakter tjetër. Sot, ndodh që një autor ta kalojë pjesën më të madhe të jetës së tij duke e shkruajtur një libër të dobishëm, e pastaj këtë libër e publikon që ta shesë. Ndërkaq, një person tjetër, e merr një kopje të librit dhe e boton në disa mijëra ekzemplarë dhe e distribuon në treg. Me këtë ai i konkuron vetë autorit, apo ndodh që atë libër edhe ta shpërndajë gratis, me qëllim që të fitojë emër. Me këtë ai e humb mundin dhe kontributin e autorit. Kjo vlen edhe në fushën e zbulimeve.

Kjo gjë i dekurajon shkencetarët që të përpilojnë libra dhe të zbulojnë gjëra, ngase e shohin se mundin e tyre do ta grabitin tjerët, sa të dalë në publik zbulimi apo vepra e tyre. Ata e shohin se veprën e tyre do ta tregtojnë tjerët, e me këtë do t’u konkurojnë ata të cilët nuk kanë dhënë asnji mund në përpilimin e veprës përkatëse apo në zbulimin përkatës. Pra, me ndrrimin e kohëve, ka ndryshuar edhe gjërat, janë paraqitur gjëra të reja dhe kanë ndikim thelbësor në riformulimin e realitetit të sotëm, ngase ndryshe ka qenë, e ndryshe është bërë. Kjo dikton një qasje të re që do t’ia mbrojë çdo kujt mundin dhe hakun e vet.

Nisur nga kjo, duhet që të merret parasysh e drejta e autorit dhe zbuluesit në atë që e ka shkruar dhe zbuluar. Kjo e drejtë është pronë e tij nga aspekti i të drejtës islame, ashtu që asnjë nuk ka të drejtë ta përvetësojë këtë pronë pa lejen e tij. Është kusht që libri apo studimi të mos jetë thirrje në diçka që është e ndaluar në aspektin fetar, në bidat-risi, apo në çdo gjë tjetër që bie ndesh me sheriatin islam. Përndryshe, veprat që kanë karakter të këtillë, duhet të asgjësohen dhe nuk lejohet të publikohen.

Poashtu, as botuesi i cili ka marrëveshje me autorin, po as dikush tjetër, nuk ka të drejtë që të ndryshojë apo të ndërrojë diçka në libër pa lejen e autorit.

Kjo e drejtë trashëgohet nga pronari i saj dhe kushtëzohet me ato gjëra të cilat kushtëzohen sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, ligjeve dhe zakoneve të cilat nuk bien ndesh me sheriatin islam. Këto marrëveshje dhe ligje e rregullojnë këtë të drejtë pas vdekjes së pronarit në atë mënyrë që e harmonizojnë të drejtën e tij personale dhe të drejtën e përgjithshme. Kjo, ngase çdo autor apo zbulues, i shfrytëzon idetë dhe të arriturat e atyre që kanë qenë para tij, bile edhe nëse janë në pyetje vetëm njohuritë e përgjithshme dhe mjetet ekzistuese para tij.

Ndërkaq, autori i cili punon me kontratë për një shtëpi botuese që të shkruajë enkas për atë, apo shkencëtari i cili ka kontratë me një ndërmarrje që të zbulojë diçka enkas për të, prodhimi i tij është e drejtë e institucionit me të cili ka kontratë, dhe në këtë të drejtë i respekton kushtet për të cilat janë marrur vesh të dy palët, e që pranohen nga rregullat e marrëveshjeve. Allahu mundëson sukses, dhe bekimi i Tij qoftë mbi zotëriun dhe pejgamberin tonë Muhammedin, familjen dhe gjithë shokët e tij.

Këshilli i Akademisë së Fikhut / 19/7/1406h

Kryetar: AbdulAziz Abdullah ibën Baz

Anëtarë: Muhamed ibn Xhubejr, Abdullah Abdurrahman El-Bessam, Salih El-Feuzan

Përktheu: Dr. Bashkim Aliu