Pyetje: A ka në këtë varse ndonjë gjë që s’shkon me akiden (besimin islam)??



Përgjigje nga Adelina Kuçana.

Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botërave.
Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij.

●- Simboli i syrit është një simbol i lashtë që është marrë si hajmali për të larguar të keqen e syrit dhe smirës në mjedise ku drita e sheriatit hyjnor dhe besimi në Allahun e Lartësuar dhe në Teuhidin e Tij kanë qenë të pakta ose të zhdukura.

●- Allahu i Lartësuar na ka udhëzuar drejt mënyrave të sigurta për t’u mbrojtur nga e keqja e smirës, përmes ajeteve, lutjeve dhe përmendjes së Tij (dhikrit), së bashku me mbështetjen e plotë tek Ai.
Ndërkohë, Ai na ka ndaluar të lidhemi me imagjinata dhe simbole që përmbajnë elementë shirku, të cilat dobësojnë besimin e robit dhe e zhvendosin varësinë nga Allahu, drejt sendeve që nuk sjellin as dobi e as dëm.
Prandaj, Islami është treguar i prerë në ndalimin e tyre,  siç ka ardhur në hadithin e saktë të Profetit ﷺ:
“مَنْ تَعَلَّقَ تَمِيمَةً فَقَدْ أَشْرَكَ”
“Kush var një hajmali, ka bërë shirk.”
dhe në një tjetër hadith:
“مَنْ تَعَلَّقَ تَمِيمَةً فَلا أَتَمَّ اللَّهُ لَهُ”
“Kush varet nga një hajmali, Allahu mos e plotësoftë për të.”

●-Po nëse përdoret vetëm për zbukurim?
Edhe nëse dikush thotë se e mban vetëm për zbukurim, edhe kjo është e ndaluar, për këto arsye:

1️⃣ Sepse ajo nuk është krijuar për zbukurim, por në origjinë është përdorur si hajmali për mbrojtje, dhe më pas shejtani e ka zbukuruar për njerëzit, duke e kthyer në varëse apo stoli moderne.

2️⃣ Varja e saj hyn në ndalimin e përgjithshëm për hajmalitë, dhe nuk ka siguri për atë që e mban, që shejtani të mos e mashtrojë. Nëse rastis që pas veshjes të largohet ndonjë e keqe ose të ndodhë ndonjë mirësi, kjo mund të mbjellë besime të rrezikshme, që shpie në shirk.

3️⃣ Mbajtja e tyre përhap këto hajmali dhe nxit besimet që lidhen me to, si dhe ngre dyshime për atë që i vesh, se ka besim në to.

●- Braktisja e tyre është detyrë, dhe në llojet e lejuara të stolisjes, ka mjaft hapësirë për muslimanen që dëshiron zbukurim pa rrezikuar fenë e saj.

Lusim Allahun të na ruajë nga shirku i vogël dhe i madh.

Allahu e di më së miri.

Adelina Kuçana