Pyetja:

A bën t’i jepet zekati një personi që punon dhe merr rrogë mujore, por ankohet vazhdimisht se nuk i del rroga?

***

Përgjigjja:

Zekati është obligim fetar fondet e destinimit të të cilit janë të përcaktuara qartë në Kur’anin famëlartë. U takon njerëzve të varfër dhe atyre të cilët kanë mungesë të mjeteve materiale, ashtu që nuk mund t’i mbulojnë harxhimet e tyre familjare. Ndodh që kjo të jetë si rezultat i numrit të madh të fëmijëve, rrogës së vogël, standardit të lartë jetësor, e kështu me rradhë.

Së këndejmi, nëse një person është i punësuar dhe merr rrogë, por kjo rrogë nuk i mjafton t’i mbulojë harxhimet mujore të familjes së tij, është e lejuar që t’i jepen mjete nga zekati, me kusht nëse ai nuk është harxhues i tepërt, gjegjësisht nuk harxhon para pa masë dhe në gjëra që nuk janë të nevojshme për jetesë.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu