Pyetja:

Sa pasuri duhet të ketë personi që t’i bëhet obligim nxjerrja e zekatit të fitrit?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!

Juristët muslimanë janë të mendimit se zekati i fitrit i obligohet muslimanit/es që ka mundësi ta nxjerrë atë, teksa lidhur me këtë mundësi dy mendimet kryesore të tyre janë:

Mendimi i parë: Mundësi konsiderohet që personit t’i teprojë ushqim veç atij që i duhet Natën/Ditën e Bajramit për veten dhe kë ka në kujdestari

Mendimi më i fuqishëm në këtë kontekst është ai i shumicës së juristëve muslimanë (përfshirë medh’hebin maliki, shafi’i, hanbeli etj.) që janë të mendimit se kuptimi i mundësisë për nxjerrjen e Zekatit të Fitrit është që personit “t’i teprojë ushqim veç ushqimit që i duhet natën dhe ditën e Bajramit, për veten dhe personat që ka në kujdestari; teksa kusht është që kjo tepricë të jetë shtesë nevojave të vlerës pasurore që i duhet personit për mjetet bazë të jetesës (si: banimi, ilaçet, shërbyesi etj.). Ky mendim bazohet në faktin se tekstet hyjnore referente nuk specifikojnë (veçojnë) njeriun e pasur, porse ato synojnë pastrimin e agjëruesit nga fjalët e kota dhe të pista, synim ky ku i varfri është si i pasuri, mjaft që ai të ketë tepricë ushqimi veç nevojave.

Mendimi i dytë: Mundësi konsiderohet që personi të ketë pasuri në vlerën e nisabit e sipër

Medh’hebi hanefi është i mendimit se kuptim i mundësisë për nxjerrjen e zekatit të fitrit është që personi të ketë mbërritur vlerën e nisabit (vlerën e përllogaritur obliguese të zekatit) të pasurisë për një pasuri çfarëdo të tij (si për: floririn, argjendin, mallërat e tregtuara apo bagëtitë). Këtë mendim ata e arsyetojnë me faktin se kur një personi i lejohet të marrë sadakanë (zekatin) e fitrit, ai konsiderohet i varfër dhe nuk ka sesi t’i obligohet nxjerrja e tij, bazuar në tekstin profetik “Nuk ka (jepet) sadaka vetëm se në gjendje të mbajtshme (kur personi ngadhënjen / nuk thyhet ekonomikisht edhe pas dhënies së kësaj sadakaje) dhe kur je i panevojë (çfarë mbetet pas dhënies së kësaj sadakaje, mjafton për nevojat jetike).”

Po kështu, të katër medh’hebet juridike (ai hanefi, maliki, shafi’i dhe hanbeli) janë të pajtimit se nëse personi ka një borxh jo të ngutshëm, kjo nuk përbën për të asnjë pengesë në ngarkimin e tij me obligimin e nxjerrjes së Zekatit të Fitrit.

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi