Pyetja:
Thuhet që melaqe të krijuara prej Zotit ka shumë, ku edhe secili prej tyre ka detyrat e veta. Kam lexuar që ka melaqe, normalisht me vullnetin dhe me dëshirën e Allahut, në muajin e tretë të shtatzënisë e caktojnë ato gjininë se çfarë ka me qenë fëmija (vajzë a djalë). Ne e dimë qe në kohën bashkëkohore është e mundshme të dihet gjinia e embrionit që prej ditës së parë kur fekondohet veza (edhe pse artificialisht, d.m.th. ka mundësi). Si shpjegohet kjo nga vështrimi islam.
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!
Çështja e zgjedhjes ose caktimit të gjinisë së fëmijës është një kureshtje e cila e ka shoqëruar njeriun që nga kohërat e lashta. Për këtë ka folur Hipokrati e Aristoteli, para erës sonë, pastaj kinezët e vjetër, Hindusët dhe shumë popuj tjerë. Mirëpo në kohën bashkëkohore pas përparimit të jashtëzakonshëm që ka ngjarë në shumë lëmi, por edhe në fushën e biomjekësisë, e bën këtë çështje shumë më të mundshme dhe më të sigurt. Tani sipas studiuesve të mjekësisë vërtetohet se përcaktimi i gjinisë së fëmijës, mund të bëhet sipas dëshirës gjatë aktit të fekondimit të qelizës.
Kjo problematikë është temë që e kanë diskutuar dijetarët islam të kohës bashkëkohore[1] dhe ata kanë sqaruar çështjet të cilat kanë të bëjnë me të. Ndërsa ne për t`ju përgjigjur pyetjes suaj do të ndalemi në dy pika:
– 1. A është përcaktimi i gjinisë së foshnjës nga gajbi
– 2. A i kundërvihet caktimit të Zotit ndërhyrja për zgjedhjen e gjinisë së foshnjës.
1. A është përcaktimi i gjinisë së foshnjës nga gajbi:
Në shikim të parë mund të paramendohet se ky zbulim i tanishëm është në kundërshtim me atë çfarë është thënë në të kaluarën, duke u mbështetur në disa komente të citateve sheriatike, se dituria çfarë krijohet në mitrën e nënave është veçanti e Zotit të Madhërishëm. Në Kuran thuhet:
“Pa dyshim, vetëm Allahu e di kur do të ndodhë kiameti. Ai e zbret shiun dhe e di ç’ka në mitra (të shtatzënave). Asnjë njeri nuk di ç’do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në ç’vend do të vdesë. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe Njohës i çdo gjëje.” (Lukman, 34)
Dhe thotë:
“Allahu e di se ç’mbart çdo femër dhe e di sa shkurtohet e sa zgjatet (koha e lindjes). Çdo gjë tek Ai është me masë.” (Rad, 8).
Gjithashtu thotë:
“I Allahut është pushteti mbi qiejt dhe Tokën. Ai krijon çfarë të dojë. Ai i dhuron vajza kujt të dojë e djem kujt të dojë. Disave u dhuron të dyja gjinitë: djem e vajza; e, kë të dojë e lë pa fëmijë. Vërtet, Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Fuqishëm.” (Shura, 49-50)
Mirëpo, nëse thellohemi në domethëniet e këtyre citateve dhe të tjerave që përmbajnë këtë kontekst, kuptojmë se nuk ka kontradiktë mes mundësisë së njeriut në kohën bashkëkohore ta përcaktojë llojin e gjinisë së embrionit gjatë fekondimit dhe të këtyre citateve.
Kjo për faktin se njohuria se “çfarë ka në mitra (të shtatzënave)”, ose “ç`mbart çdo femër”, të cilat përmenden në ajetet kuranore, janë për qëllim dituria e tërësishme rreth embrionit. Me një fjalë, Zotit i takon tërë dituria që ndërlidhet me embrionin, se a do të arrijë të lindet apo do të vdesë, nëse lind a do të jetë i shëndoshë apo i sëmurë, a do të jetë i mençur apo jo, a do të ketë jetë të lumtur apo të mjerë, etj. Ndërsa njeriu, me anë të këtij zbulimi mjekësor, ka arritur ta kuptoj vetëm atë se a është mashkull apo femër.
Ibën Kethiri gjatë komentimit të ajetit: “…(Allahu) e di ç’ka në mitra (të shtatzënave)”[2], thotë: “Pra Allahu e di se fryti a është mashkull apo femër, a është i mirë apo i keq, i lumtur apo i mjerë dhe a është jetë gjatë apo i shkurtër”.[3]
Ndërsa Maverdi gjatë komentimit të po të njëjtit ajet: “…(Allahu) e di ç’ka në mitra (të shtatzënave)”[4], thotë: “Kuptimi i kësaj mund të jetë njëra nga këto dy gjëra: E para se Allahu e di se çfarë ka në mitër, a do të jetë mashkull apo femër, shëndosh apo i sëmur. E dyta, Allahu e di se çfarë ka në mitër, a do të jetë besimtar apo jobesimtar, a do të jetë i lumtur apo i palumtur.”[5]
Pastaj edhe shumë dijetarë bashkëkohorë kanë dhënë përgjigje në lidhje me këtë kontradiktë të paramenduar, ndër ta ishte edhe dijetari i mirënjohur Ibn Uthejmin, Zoti e mëshiroftë, i cili kur u pyet për lidhjen në mes të diturisë së mjekut se çfarë gjinie është fetusi (me ultrazë) dhe fjalëve të Lartësuarit: “…(Allahu) e di ç’ka në mitra (të shtatzënave)”, ka thënë:
“Gjërat e gajbit (e panjohura) që janë të lidhura me fëmijën në barkun e nënës kanë të bëjnë me këto gjëra: kohën që do të kalojë në barkun e nënës së tij, çfarë do të jeta jetesa e tij, si do të jenë veprat, sa është furnizimi, a do të jetë i lumtur ose i palumtur, dhe a do të jetë mashkull apo femër, para se të formohet në trup.”[6]
Nga citimet të cilat i përmendëm më lartë kuptojmë qartë se njohuria se çfarë ka në mitër të nënave, për të cilën flitet në këto ajete nuk është për qëllim vetëm njohja e seksit të embrionit, por shumë gjëra dhe rrethana tjera që ndërlidhen me të. Prandaj nuk ka mospërputhje në mes të këtyre zbulimeve mjekësore të cilat përcaktojnë gjininë e foshnjës dhe citateve sheriatike të cilat u përmendën më lartë.
2. A i kundërvihet caktimit të Zotit ndërhyrja për zgjedhjen e gjinisë së foshnjës
Zbulimi mjekësorë i cili mundëson zgjedhjen e seksit të foshnjës gjatë fekondimit është një zhvillim që i nënshtrohet ligjeve, sebepeve, shkaqeve të cilat i ka krijuar Allahu i Madhërishëm. Prandaj, marrja e shkaseve të cilat Allahu i Madhërishëm i ka bërë mënyrë e ardhjes deri te pasojat, pa marrë parasysh qoftë kjo në përcaktimin e gjinisë ose në diç tjetër, nuk përmban në vete përzierje në krijim dhe realizimin e dëshirës së Allahut që i atribuohet vetëm Atij. Argument për këtë është që çdo gjë që vepron robi, kjo nuk del nga përcaktimi i Allahut, dëshira dhe krijimi. Zoti i Gjithëdijshëm thotë:
“Po ju nuk mund të doni gjë, pos nëse do Allahu…”[7]
Se zgjedhja e gjinisë së embrionit i nënshtrohet shkaqeve e vërteton edhe hadithi të cilin e përcjell Thevbani, shërbëtori i të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të. Thevbani, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se derisa ishte me të Dërguarin, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të erdhi një çifut, i cili në mes tjerash e pyeti për fëmijën. Ai u përgjigj:
“Sekrecioni i mashkullit është i bardhë, ndërsa sekrecioni i femrës është i verdhë. Kur këto dyja bashkohen dhe sekrecioni i mashkullit dominon sekrecionin e femrës, atëherë me lejen e Allahut bëhet mashkull, ndërsa nëse sekrecioni i femrës dominon sekrecionin e mashkullit, atëherë bëhet femër, me lejen e Allahut.” Çifuti i tha: “Të saktën e ke thënë, vërtet ti je Pejgamber!”, pastaj u kthye dhe u largua.”[8]
Shkencëtarët kanë zbuluar se sekrecioni i mashkullit është acidik, ndërsa sekrecioni i femrës është alkalin. Nëse sekrecioni i mashkullit përzihet me të femrës dhe nëse në mjedisin vagjinal dominon lëngu alkalik, atëherë kjo përshpejton lëvizjen e shpejtë të spermatozoideve që bartin seksin mashkullor (kromozomi y), të cilët arrijnë deri te qeliza femërore dhe e mbarësojnë para spermatozoidit që bart seksin femëror (kromozomi x), sepse ata janë shumë të ngadalshëm dhe të rëndë, dhe kështu fëmija bëhet mashkull. Por, nëse në mjedisin vagjinal dominon lëngu acidik i cili shkatërron spermatozoidet që bartin seksin mashkullor, sepse janë të dobët dhe pak rezistent, ndërsa mbijetojnë spermatozoidet që bartin seksin femëror, sepse janë të fuqishëm dhe të qëndrueshëm, atëherë vetëm ata arrijnë deri te qeliza vezë dhe e mbarësojnë dhe fëmija bëhet femër.[9]
Ky hadith është edhe një vërtetim se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, nuk flet nga vetja, Allahu i Madhërishëm thotë: “Dhe ai nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kurani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet.”[10]
Prandaj themi se çështja e përcaktimit të gjinisë së fëmijës me anë të arritjeve mjekësore nuk është asgjë tjetër, vetëm se marrje parasysh e shkaqeve që Zoti i Madhërishëm i ka caktuar në mënyrën se si vjen deri te krijimi i mashkullit dhe i femrës. Në anën tjetër, Allahu i Madhërishëm disa prej krijesave të Tij ua mundëson që ta njohin gjininë e fëmijës, paraprakisht, disave me anë të shpalljes, sikurse melaiket që i informon se a do të jetë mashkull apo femër. Ndërsa disa këtë e kuptojnë nga përvoja ose nga njohurit shkencore të cilat i kanë arritur në kohën bashkëkohore. Zoti e di më së miri!
Alaudin Abazi
[1] “Fikhun Nevazil”, vëll. IV, f. 38-42; “El Fetava el Mutealika Bit Tibi Ve Ahkamil Merda”, f. 309; “Fetava Mustafa Zerka”, 287; “Rujetush Sherijeh Fi Tahdid Xhins Xhenin”, dr. Halid Muslih; etj.
[2] Lukman, 34.
[3] “Tefsir Ibën Kethir”, vëll. II, f. 271.
[4] Lukman, 34.
[5] “En Nuket”, vëll. IV, f. 349-350.
[6] “Mexhmu Fetava Ibën Uthejmin”, vëll. I, f. 35.
[7] Insan, 30.
[8] Shënon Muslimi.
[9] Shih: http://www.klubikulturor.com/klubiri/?aid=993; Gjithashtu tema: “Zgjedhja e seksit të fëmijës”, Mr. Zijad Ljakiq.
[10] Nexhm, 3-4.