Pyetja:

A i lejohet atij që e dëgjon ezanin të mos shkoj në xhami, megjithëse në shtëpi ose në vendin e tij të punës i fal të gjitha namazet?

***

Përgjigjja:

Një gjë e tillë nuk lejohet. Është detyrë mbi atë njeri i cili e dëgjon ezanin që tʹi përgjigjet thirrjes, duke u bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut ﷺ i cili thotë: ʺKush e dëgjon ezanin dhe nuk vjen në xhami ai sʹka namaz përveç rastit kur ka arsye.ʺ Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të dy ata!) i thanë: ʺKush konsiderohet arsye?ʺ Tha: ʺFrika ose sëmundja.ʺ Një burrë i verbër erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe tha:ʺO i Dërguari i Allahut, unë nuk kam ndonjë njëri i cili të më shoqëroj për në xhami. A më lejohet mua që të falem në shtëpi?ʺ I Dërguari i Allahut ﷺ tha: ʺA e dëgjon thirrjen për në namaz?ʺ Tha: ʺPo!ʺ I Dërguari i Allahut ﷺ tha: ʺAtëherë përgjigju thirrjesʺ. Pra, përderisa edhe të verbrit i cili nuk kishte shoqërues nuk iu dha leje, mosarsyetimi për të tjerët është më parësor. Atëherë është obligim për muslimanin që të nxitojë në faljen e namazit në kohën e përcaktuar dhe me xhemat. Në qoftë se ai banon larg (xhamisë) dhe nuk e dëgjon ezanin, atëherë i lejohet atij që të falet në shtëpi. Mirëpo, nëse ai e merr mundimin dhe bën të pamundurën për të shkuar në xhami, kjo padyshim që është shumë më mirë për të.
Shejh Ibn Baz, ʺFetaua Ulemai el Beledi el Haramʺ fq. 176

Personin i cili fle në kohën e namazit të sabahut dhe nuk e fal atë vetëm se pas lindjes së diellit pak para shkuarjes së tij për në punë. E nëse i atij thuhet: Kjo që vepron ti nuk lejohet. Ai thotë: ʺËshtë ngritur lapsi prej tre personave.ʺ Prej tyre: ʺNga personi që fle derisa të ngrihet.ʺ Ky është ʺargumentiʺ i tij i përhershëm.
Shejhu u përgjigj: Këtë person pyete dhe thuaji: Si mendon sikur puna jote të fillonte rreth
gjysmë ore para lindjes së diellit, a do të ngriheshe apo do thoshe: Është ngritur lapsi prej tre
personave? Përgjigja e tij do të ishte se do të ngrihej. Atëherë thuaji: Nëse do të ngriheshe për punën tënde në dunja, atëherë pse nuk ngrihesh për punën tënde të ahiretit?! Pastaj, personi prej të cilit është i ngritur lapsi, është ai i cili nuk ka kush që ta zgjojë dhe nuk ka mundur që të gjej diçka me anë të së cilës të jetë në gjendje që të zgjohet. Ndërsa ai i cili e ka njërën nga këto mundësi për tʹu ngritur si p.sh. orë me zile dhe të tjera përveç saj, atëherë ai nuk është i arsyetuar. Dhe është detyrë për këtë që të pendohet tek Allahu i Lartësuar dhe të përpiqet me të gjitha forcat në mënyrë që të ngrihet herët në mëngjes e të falë namazin e sabahut me xhemat.
Shejh Ibn Uthejmin, ʺMexhmuʹu Fetauaʺ vëll. X, fq. 252

Shejh Ibn Bazi është pyetur: ʺTransmetohet se Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy ata!) është pyetur për atë person i cili falet natën dhe agjëron ditën, porse nuk prezanton në namazin e xhumasë dhe në namazin me xhemat. Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy ata!) tha: ʺAi është në zjarr.ʺ Çʹmund të thoni në lidhje me saktësinë e këtij hadithi?
Shejhu u përgjigj: ʺKjo fjalë është e njohur nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy ata!) dhe është vërtetuar që është prej fjalëve të tij. Dhe kjo tregon se mosprezantimi në namazin e xhumasë dhe të namazit me xhemat është prej shkaqeve e futjes në zjarr.

3. Shejh Ibën Uthejmin është pyetur për gjykimin e atij që e lë namazin e sabahut dhe ai e dëgjon muezinin të thotë Es Salatu hajrun minen neum/ Namazi është më i mirë se gjumi?
Shejhu u përgjigj: Ishte më parësore për pyetësin që të thoshte: Cili është gjykimi në lidhje me atë person i cili e lë namazin me xhemat dhe ai e dëgjon muezinin të thotë Hajja alas Salah. Në mënyrë që pyetja e tij të përfshijë si namazin e sabahut ashtu edhe namazet e tjera, sepse fjala e muezinit Hajja alas Salah është më domethënëse sesa Es Salatu hajrun minen neum. Për shkak se thënia Es Salatu hajrun minen neum nuk është shtyllë prej ezanit, ndërsa Hajja alas Salah është shtyllë e tij. E rëndësishme është se nuk i lejohet askujt prej burrave që e dëgjon muezinin të thotë Hajja alas Salah, të vonohet në përgjigjen ndaj tij, vetëm se duke pasur arsye sheriati. Është transmetuar saktësisht se tek i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi një i verbër dhe i tha:ʺO i Dërguari i Allahut, unë jam i verbër e nuk kam asnjë shoqërues që të më shoqërojë për në xhamiʺ. I Dërguari i Allahut ﷺ i dha leje atij. Ndërkohë që ai u nis të largohej, i Dërguari e thirri atë dhe i tha: ʺA e dëgjon ezanin?ʺ Tha: ʺPo!ʺ I Dërguari i Allahut ﷺ tha: ʺAtëherë përgjigju atij.ʺ [1] Ky është argument i qartë i cili vërteton se është obligim për burrin që kur e dëgjon muezinin tʹi përgjigjet thirrjes së tij.
ʺMexhmuʹu Fetaua ue Rasailʺ, vëll. XII

4. Shejh Ibën Bazi është pyetur: Duke u nisur prej përvojës tuaj të gjatë në fushën e davetit, cila është mënyra më e mirë e thirrjes për tek Allahu?
Përgjigje: Mënyra më e mirë e thirrjes është ajo që ka sqaruar Allahu i Madhëruar në Kuran dhe që gjendet e qartë në sunetin e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Allahu i Madhëruar thotë: ʺTi (Muhamed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira.ʺ (Nahl: 125) Po ashtu, i madhëruari thotë: ʺTi ishe i butë ndaj atyre, ngase Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje.ʺ (Al Imran, 159)
Allahu i Madhëruar, në lidhje me Musain dhe Harunin, kur Ai i dërgoi tek faraoni, thotë: ʺAtij i thoni fjalë të buta, ndoshta ai mendohet a frikësohet.ʺ (Ta Ha, 44) Thirrësi duhet të përzgjedhë metodën më të mirë dhe urtësinë gjatë thirrjes së tij për në rrugë të Allahut. Ajo është dija me atë çfarë ka thënë Allahu i Lartësuar dhe çfarë ka ardhur në hadithet e Profetit fisnik ﷺ. Gjithashtu rëndësi të madhe ka edhe këshillimi i mirë si dhe fjalët e zgjedhura, të cilat ndikojnë thellë në zemër duke i përkujtuar asaj vdekjen dhe botën tjetër, xhenetin dhe zjarrin. Të gjitha këto bëjnë që zemra ta pranojë thirrjen, tʹi jepet asaj dhe të përqendrohet në atë që thirrësi thotë. Në qoftë se ndodh që ai të cilit i bëhet thirrja të paraqesë ndonjë dyshim që mund të ketë, atëherë duhet që thirrësi tʹia qartësojë atë (dyshimin) në mënyrën më të mirë. Thirrësi nuk duhet që dyshimin ta largojë me ashpërsi dhe as me egërsi, por gjithnjë me atë që është më e mirë. E mira është që ai ta përmendë dyshimin, pastaj me anë të argumenteve ta eliminojë atë pa u lodhur, pa u dobësuar, pa u nevrikosur në atë mënyrë, e cila do ta bënte atë që thirret ta refuzojë thirrjen. Përkundrazi, thirrësi duhet të përzgjedhë mënyrën më të mirë, sqarimin më të mirë dhe argumentet më të përshtatshëm. Ai duhet të jetë i durueshëm ndaj çdo gjëje që mund tʹi shkaktojë nervozizëm, duke u përpjekur që ta paraqesë këshillën me qetësi dhe butësi, se ndoshta Allahu i Madhëruar e bën të dashur thirrjen e tij në zemrën e të thirrurit.
ʺFetauat e dijetarëve të vendit të Shenjtëʺ

Përktheu: Xhabir Sheme

————————–

[1] Muslimi