Pyetja:
Djali student fal 5 vakte namaz dhe familje besimtarësh. E kërkon vajzën tri herë brenda dy vjetësh. Babai i çikës e refuzon, se jep për x-arsye, që vetëm ai i di (thuhet se babait të çikës nuk i intereson dhe se është besimtar i dobët, muzikë, alkool). Ndërsa gjithë anëtarët e familjes së çikës janë për po, kurse babai për jo. Në këtë rast a mundet që djali të ikë me vajzën pasi rrugëdalje tjetër s’ka? Ju lutem përgjigje korrekte pasi problemi zgjat me vite.
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Është e qartë se pëlqimi i përgjegjësit (veliut) të vajzës për t’u realizuar një martesë e drejtë është nga gjërat e domosdoshme. Përgjegjës i afërm i femrës në radhë të parë është babai, pastaj vëllai, xhaxhai dhe kështu me radhë. I Dërguari ﷺ ka thënë: “Cila grua martohet pa lejen e përgjegjësit të saj, kontrata e kësaj martese është e pavlefshme, kontrata e kësaj martese është e pavlefshme.” [1]
Gjithashtu ai ﷺ ka thënë: “Nuk ka martesë (të shëndoshë) pa praninë e veliut (kujdestarit) dhe dy dëshmitarëve të drejtë.”
Duke pasur parasysh këto hadithe dhe citatet e tjera, përfundojmë se nuk lejohet që të lidhim kurorë me ndonjë vajzë pa marrë lejen e prindit paraprakisht. Prandaj, në këtë vend ju bëjmë me dije se nëse prindi nuk u përmbahet dispozitave islame, nuk do të thotë se neve na lejohet ta legalizojmë shpërfilljen e mendimit të tij në lidhje me martesën e vajzës.
Sido që të jetë, ne nuk themi se në asnjë formë nuk tejkalohet mendimi i përgjegjësit të vajzës, por duhet të vlerësohet situata mirë, pastaj edhe nevojitet kohë që të largohen keqkuptimet ekzistuese mes përgjegjësit dhe djalit që ia kërkon dorën e vajzës. Prandaj ky problem duhet të shikohet në shumë aspekte dhe këndvështrime e mes të tjerash edhe duke pasur parasysh dëmin e dobinë që mund të shkaktojë kjo.
Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
——————————————–
[1] Shënon Ebu Davudi, Tirmidhiu, etj.