Pyetja:
Jam një vajzë 21-vjeçare, fal namz. E pëlqej një djalë musliman, që fal namaz, po ashtu ka qenë edhe në haxh këtë vit dhe është 1 ose 2 vite më i madh se unë. Jemi së bashku në fakultet, shpeshherë flasim, i japim selam njëri- tjetrit, po ashtu edhe flasim në msn për çështje të fakultetit, provime etj., por jo më shumë.
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Ju këshillojmë që të mos vazhdoni kontaktin me atë djalin, pa marrë parasysh se si do të përfundojë raporti mes jush në të ardhmen. Kjo për faktin se si vërehet nga pyetja juaj, ju tani keni filluar të ndieni emocion e dashuri për të dhe nuk është e qartë se ku do t`ju shpjerë kjo. Prandaj, në Islam ndalohen të gjitha format e kontaktit me gjininë e kundërt, për shkak që të mos lindin emocionet dhe dashuria ndërmjet një mashkulli e femre pa u qartësuar se a do të bashkohen ata të dy me martesë apo jo.
Ndërsa se çfarë do të duhej të ndërmerrnit, themi se kur mashkullit i pëlqen apo e dashuron një vajzë, atëherë ai nuk e ushqen këtë dashuri me kontakte të vazhdueshme që ta shtojë këtë dashuri edhe më shumë, por menjëherë fillon realizimin e hapave të nevojshme për t’u bashkuar me atë vajzë. Njëjtë vepron edhe femra, pasi edhe ajo mund të ndiejë të njëjtën gjë, siç është rasti i juaj. Prej teje kërkohet me anë të ndonjë të afërmi tënd apo shoku të tij që t`ia transmetosh atij se je e interesuar seriozisht për të. Nëse edhe ai është i gatshëm për këtë, atëherë filloni kontaktet me familjet dhe filloni procedurën që është në përputhje me normat islame dhe që është e njohur.
Në rastin tuaj, nëse keni turp që t’i propozoni për martesë, edhe pse në këtë nuk ka të keqe, ose mendoni se do të ndiheshit keq nëse ai nuk do të shprehte interesim për ju ose do të refuzonte, atëherë ju mund ta kuptoni se a është ai i interesuar për ju në një formë të tërthortë, duke marrë informata jo të drejtpërdrejta me anë të një personi që i besoni, i cili mund ta kuptojë këtë gjatë bisedës më atë djalin. Mund të porositni ndonjë të afërmin tuaj ose dikë tjetër që ka kontakt me atë djalin, i cili në bisedë mund ta pyesë se a do të ishte i interesuar që të kërkonte dorën tënde për martesë dhe nga përgjigjja do të kuptoje se a është i interesuar edhe ai për ty.
Alaudin Abazi