Pyetja:

Më ra rasti të lexoja një temë të përkthyer e cila kishte të bënte me sjelljen e gruas ndaj burrit. Ajo që më shtyu ta bëja këtë pyetje është fakti se nuk kisha dëgjuar më parë që ndonjë dijetar të deklaronte që gruaja mund ta godasë burrin e saj. Por, sipas këtij artikulli, “dy dijetarë dhe një mendimtar i njohur thonë se gratë bën t’i rrahin burrat e tyre në vetëmbrojtje”.

***

Përgjigjja:

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut të Lartësuar, salavatet qofshin mbi të Dërguarin e Tij ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë muslimanët që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Islami urdhëron që të sillemi mirë me gratë dhe të kalojnë jetë të mirë me to. Allahu i Lartësuar thotë: “Çoni jetë të mirë me to.” (Nisa: 19)

Gjithashtu, Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kini frikë Allahun ndaj grave tuaja, sepse ato i keni marrë amanet nga Allahu i Lartësuar.” [1]

Mirëpo, nëse ndodh që në marrëdhëniet bashkëshortore të ketë ndonjë mosmarrëveshje, Islami ka bërë zgjidhje për problemet ku, së pari, duhet që gruaja të këshillohet, e në qoftë se nuk kupton (nuk sjell rezultat këshilla), atëherë duhet larguar nga shtrati dhe të mos flenë së bashku dhe kjo për shkak që gruaja të kuptojë se ajo vepër që ka bërë apo ajo sjellje nuk është në rregull. Kur edhe kjo masë nuk sjell fryte, atëherë lejohet të rrihet, mirëpo me një rrahje të vogël dhe që nuk lë ndonjë shenjë në trup. Argument për këtë është thënia e Allahut të Lartësuar: “E ato që u keni dro kryelartësisë së tyre, këshilloni, madje largohuni nga shtrati (e më në fund), edhe rrihni (lehtë, nëse nuk ndikojnë këshillat as largimi), e nëse ju respektojnë, atëherë mos u sillni keq ndaj tyre.” (Nisa: 34)

Pra, fetvaja e dhënë në artikullin që keni përmendur bie në ndesh me ajetin, në të cilin Allahu i Lartësuar thotë: “..edhe rrihni (lehtë, nëse nuk ndikojnë këshillat as largimi).”

Kurtubiu ka thënë: “Fjala ku Allahu i Lartësuar thotë: “..edhe rrihni ato”. Allahu i Lartësuar ka urdhëruar që së pari ato të këshillohen, pastaj të largohen nga shtrati, e në qoftë se nuk kanë sukses këto dy metoda, atëherë përdoret metoda e tretë, që është rrahja. Dhe me rrahje këtu kuptohet rrahje edukimi, duke mos e rrahur për t’i lënë gjurmë në trup.”

Gjithashtu, kjo fetva bie në kundërshtim me hadithin në të cilin Pejgamberi ﷺ ka thënë: “.. e nëse ato vijnë me ndonjë vepër të keqe, rrihni ato me rrahje jo të dhunshme.” [2]

Gjithashtu, transmeton Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, ﷺ, ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush e rreh gruan e tij, le t’i largohet fytyrës (mos të godasë në fytyrë].” [3]

Dhe disa dijetarë kanë thënë se rrahja bëhet me misvak (brushë dhëmbësh), e kjo do të thotë se rrahja është vetëm si këshillë dhe nuk lejohet të jetë e dhunshme. Të gjitha këto argumente dhe shumë të tjera tregojnë qartë se kjo fetva e publikuar në atë faqe është fetva e dhënë me injorancë dhe pa argument.

Prandaj, i këshilloj vëllezërit dhe motrat që të shikojnë se prej nga e marrin diturinë dhe gjithashtu ata të cilët janë përgjegjës të faqeve apo forumeve të ndryshme, ta kenë frikë Allahun dhe të mos përkthejnë çdo gjë që u bie në sy, duke mos shikuar se a bie ndesh me ligjin islam apo jo. E lusim Allahun e Lartësuar që të na udhëzojë në rrugën e drejtë!

Eroll Nesimi

————————–

[1] Muslimi.

[2] Muslimi.

[3] Muslimi.