Pyetje:
Selam alejkum Hoxhë,

Punoj në ndërtim me instalime dhe, kur blejmë materiale, disa shitës bëjnë ulje materialesh për ustallarët(mjeshtërit, kryepuntorët), por në faturë e shkruajnë çmimin për klientin, sa është në dyqan.
Domethënë, nga materialet, ustai mund të fitojë nga 10 ose 15 përqind. A është e lejuar?


Përgjigje:
Alejkum selam.

Kur je duke blerë apo shitur në emër të dikujt tjetër apo duke punuar për dikë tjetër, atëherë çmimi që ke kapur është ai çmim që duhet treguar pronarit.

Njëherë, Profeti alejhi selam i dha ‘Urueh bin El-Xhad një dinar dhe i tha:
“O ‘Urueh, shko dhe blej për ne një dele.”
Ai shkoi në treg, negocioi dhe arriti të blejë dy dele për një dinar.
Më pas, një burrë i ofroi një dinar për njërën prej tyre, dhe ai e shiti.

Kështu u kthye te Profeti me një dele dhe me një dinar. Dhe i tha:
“O i Dërguar i Allahut, kjo është delja që kërkove dhe ky është dinari yt.”

Profeti alejhi selam e lavdëroi dhe u lut për të:
“O Allah, bekoje në marrëveshjet e dorës së tij!”
(E transmeton Imam Ahmedi.)

Profeti në këtë hadith nuk ia dha fitimin Urues, dhe sikur të kishte qenë haku i tij, do t’ia kishte dhënë.


Hoxhë Dr. Abdullah Nabolli