Pyetja:

Jam student, dhe si zakonisht ndodh që të mësojë natën. Por, dikush më tha se nuk është mire të rrihet pa gjumë pas jacisë.

***

Përgjigja:

Së pari, çdo njeri i cili këshillon për diçka, apo vlerëson diçka, duhet të jetë i kujdesshëm që atë për çka këshillon apo vlerësimin ta formuloj si duhet dhe ta paraqesë komplet, e jo gjysmak, apo ta përdorë në kontekst të gabuar, sepse konteksti ka shumë rëndësi në kuptimin e drejtë të argumenteve dhe teksteve fetare, qofshin ajete apo hadithe, poashtu edhe të fjalëve të dijetarëve. Nëse të përmendurat nxirren nga konteksti, kuptohen gabimisht dhe përdoren në drejtim të gabuar.

Për atë, them se është e vërtetë se i Dërguari i Allahut ﷺ nuk ka pëlqyer diçka para dhe pas jacisë.

Nuk e ka pëlqyer gjumin para jacisë, sepse mund të ndikojë në ikjen e kohës të namazit të jacisë. Ndërkaq e ka urrejtur bisedën pas jacisë, por bisedën e pa vend dhe të pa nevojshme, sepse mund të të mbajë deri në orët e vona, siç është traditë në vendet tona, dhe të kalon koha e namazit të sabahut. Njeriu i cili rrinë deri në orët e vona të natës në biseda të kota, të padobishme, apo duke shikuar edhe televizor, duke qëndruar në internet apo duke lexuar gjëra jo të domosdoshme, është në rrezik t’i kaloj koha pa u ngritur për namazin e sabahut, sepse nuk mund të ngrihet.

Për këtë, pas jacisë, Pejgamberi ﷺ e ka urrejtur bisedën e kotë. Në këtë drejtim flet edhe hadithi, i cili është përcjellur prej Ebu Berzetes. Në këtë hadith, në mes tjerash qëndron edhe si vijon: “I Dërguari i Allahut ﷺ nuk e donte gjumin para jacisë dhe bisedën pas jacisë.“ [1]
Ibn Haxheri, një nga komentuesit e haditheve të Sahihu-l-Buharit, ka shënuar se Tirmidhiu ka thënë: “Dijetarët e kanë urrejtur (e kanë konsideruar mekruh) gjumin para jacisë.“ [2]

Por, nëse ka ndonjë shkak të arsyeshëm, dhe zhvillohet bisedë konstruktive, kjo nuk është e ndaluar. Kusht për këtë është, mos të braktiset namazi i sabahut. Mandej, në kohën e dimrit, kur jacia është herët, pra në ora gjashtë apo në ora shtatë, nuk ka diskutim se bisedat konstruktive pas jacisë nuk janë të urrejtura, sepse ka kohë të bollshme për gjumë dhe për t’u ngritur për namazin e sabahut.

Poashtu, nëse studenti ka nevojë të përgatisë lëndët, nuk ka pengesë që të mësojë pas jacisë, por me atë që mos lodhet tepër e ta braktis namazin e sabahut.

Sido që të jetë, Allahu xh.sh. në Kuran thotë: “Dhe gjumin tuaj ua bëmë për pushim. Dhe natën ua bëmë mbulesë. Ndërsa ditën e bëmë për gjallërim. (Nebeë: 911)
Pra, dita është bërë për gjallërim, dhe çdo kush duhet të mundohet që ditën t’i kryej punët, qoftë mësim, punë etj. Nata është bërë për pushim dhe gjumë, për atë duhet të shfrytëzohet për këtë qëllim. Së fundmi edhe mjekësia bashkëkohore ka dalur me konstatime, se gjumi i natës është i pa zëvendësueshëm nga gjumi i ditës.

Për këtë, preferohet që gjërat të kryhen ditën e mos të shtyhen për natën.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu

——————–

[1] Buhariu, Muslimi

[2] Fet’h