Pyetja:

A janë dy rekatet në formë përshëndetëse për xhaminë sunet kur futesh në xhami apo vaxhib? Sepse kemi dëgjuar prej disa hoxhallarëve, që në medh’hebin hanefi ato dy rekate falen vetëm kur viziton ndonjë xhami për herë të parë dhe nuk falen në xhamitë e zakonshme, dhe nga disa të tjerë kemi dëgjuar se ato janë detyrë (vaxhib) për t’u falur.

***

Përgjigja:

Në këtë çështje, për faljen e dy rekateve namaz kur futesh në xhami,  medh’hebi hanefi nuk ndryshon nga medh’hebet e tjera, por që të gjithë argumentohen me hadithin e njohur të Ebu Katades, ku Profeti ﷺ thotë: “Kur të hyjë dikush prej jush në xhami mos të ulet pa i falur dy rekate namaz!” [1]

Imam Bedrudin el-Ajni, prej dijetarëve të njohur hanefi, thotë: “Dy rekatet që falen në rastin e futjes në xhami nuk janë të veçanta për ditën apo për natën, sepse Profeti ﷺ ka thënë: “Kur të hyjë dikush prej jush në xhami mos të ulet pa i falur dy rekate namaz!” dhe shumica e dijetarëve mendojnë, se këto dy rekate falen sa herë që futesh në xhami.” [2]

Ndërsa imam Hasen ibn Ammar esh-Shurunbulali, dijetar tjetër në medh’hebin hanefi, shpjegon se këto dy rekate janë sunet të falen para se të ulesh në xhami, por nëse të qëllon që në atë xhami do të futesh disa herë në ditë, mjafton të falesh dy rekate një herë të vetme për atë ditë.”  Ndërkohë, siç përmendi dhe imam Bedrudin el-Ajni, shumica e dijetarëve mendojnë, se këto dy rekate falen sa herë që futesh në xhami, siç nënkupton edhe hadithi profetik.

Ndërsa për sa i përket nëse ky namaz është detyrë (vaxhib) apo sunet, dijetarët kanë sjellë argumente të ndryshme, që tregojnë se ky namaz është sunet dhe jo vaxhib. Prej tyre kemi hadithin e beduinit arab, të cilit kur i tregoi Profeti ﷺ se muslimani ka detyrë të falet gjatë ditës dhe gjatë natës pesë namaze ai e pyeti: “A kam detyrë namaz tjetër përveç këtyre?” Profeti ﷺ tha: “Jo, vetëm nëse ti do të falësh namaz tjetër në formë vullnetare.” [4]

Ndërkohë imam Neveviu në librin thotë: “Dijetarët kanë rënë në ixhma (konsensus), se dy rekatet namaz në rastin e futjes në xhami janë të pëlqyeshme (mustehab dhe jo vaxhib) dhe është mekruh (e papëlqyeshme) të ulesh në xhami pa i falur dy rekate namaz pa pasur arsye justifikuese. [5]

Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH

———————-

[1] Buhariu nr. 1163 dhe Muslimi nr. 713

[2] Binajeh Sherh el-Hidajeh” 2/521

[3] Meraki el-Felah” 1/148

[4] Buhariu nr. 46 dhe Muslimi nr. 11

[5] Mexhmu Sherh el-Muhedheb” 4/52