Pyetja:
Meqë pejgamberët dhe engjëjt s’gabojnë, si ndodhi që shejtani ishte dikur engjull dhe gaboi?
***
Përgjigjja:
Sa i përket (pa)gabueshmërisë së pejgamberëve në raport me njerëzit e tjerë duhet përmendur se qëndrimi i dijetarëve islamë është se vetëm pejgamberët e Allahut janë të mbrojtur nga mëkatet dhe të pagabueshëm. Kjo nënkupton se asnjë njeri tjetër, qoftë shok i Muhamedit ﷺ, ose dijetar, bile qoftë edhe prej pasardhësve të vajzës së Muhamedit ﷺ, Fatimes, nuk është i pagabueshëm.
Më pas, në mesin e dijetarëve islamë, janë zhvilluar polemika se kjo pagabueshmëri dhe mbrojtje nga mëkatet, a e përfshin çdo sferë të jetës së pejgamberëve të Allahut, apo ka të bëjë vetëm me aspektin e shpalljes dhe misionit, por jo edhe me jetën e përditshme që nuk lidhet me shpalljen dhe misionin?
Kështu, të gjithë dijetarët islamë janë të mendimit se të dërguarit e Allahut, paqja e Allahut qoftë mbi ta, janë të pagabueshëm dhe të mbrojtur në çështjen e shpalljes, gjegjësisht në bartjen dhe komunikimin e shpalljes. Kjo do të thotë se ata nuk harrojnë asgjë që duhet të kumtojnë nga shpallja dhe nuk fshehin asgjë prej shpalljes.
Poashtu, gjithë dijetarët islamë janë të mendimit se të dërguarit e Allahut janë të mbrojtur nga mëkatet e mëdha dhe veprimet e pahijshme që pjesëtarë të disa besimeve u kanë mveshur të dërguarve të Allahut, fjala vjen si: vjedhja, imoraliteti, mashtrimi, bixhozi, dehja, adhurimi i putave, etj. Këto veprime, dhe veprime tjera të këtij lloji, asnjëherë nuk mund të jenë bërë nga ana e të dërguarve të Allahut.
Mirëpo, jashtë çështjes së shpalljes dhe mëkateve të mëdha e veprave të pahijshme, dijetarët islamë nuk janë unik.
Sipas Ibn Tejmijes, shumë dijetarë islamë janë të mendimit se të dërguarit e Allahut nuk kanë qenë të mbrojtur nga gabimi në çështjet e rëndomta të cilat nuk kanë qenë të lidhura me shpalljen dhe nga mëkatet e vogla.
Këtë konstati, ata e mbështesin në disa argumente, fjala vjen si: Rasti i Ademit alejhis-selam i cili harroi dhe hëngri nga pema e ndaluar. Me këtë, ai e theu urdhërin e Allahut. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “..dhe kështu Ademi e theu urdhërin e Zotit të vet dhe gaboi” (TaHa: 121)
Poashtu, Musai alejhis-selam deshi t’i ndihmojë njërit nga pjesëtarët e popullit të vet. Për këtë, ai e goditi armikun e tij, dhe për pasojë armiku vdiq. Me këtë, ai bëri një gabim pa qëllim. Në Kur’an qëndron: “..Ai (Musai) tha:Kjo është prej veprave të djallit, e s’ka dyshim se ai është armik i hapët që shpie në humbje. Ai tha: Zoti im, unë e ngarkova veten e Ti më fal mua! Dhe Ai ia fali, se Ai është që fal shumë, është mëshirues” (El-Kasas: 15-16)
Poashtu, Davudi alejhis-selam nuk ia qëlloi që gjykimin e tij për rastin e dy grave, ku çdo njëra pretendonte se fëmija është i saj. Në këtë rast, në gjykim ia qëlloi Sulejmani alejhis-selam.
Mirëpo, këta dijetarë të cilët e mbajnë këtë qëndrim, pohojnë se sa ka ndodhur ndonjë lëshim i këtillë i vogël nga i dërguari i Allahut, menjëherë ka pasuar përmirësimi dhe pendimi. Allahu i Madhërishëm nuk i ka lënë të vazhdojnë në këtë lëshim, por i ka përmirësuar dhe ata kanë kërkuar falje dhe janë penduar. Kjo është ajo që e bën pejgamberin dinjitoz të ndiqet në çdo rast, ngase në rast lëshimi, përmirësohet dhe pendohet, e nuk vazhdon. Me këtë demantohen ata të cilët thonë se është e pamundshme që i dërguari i Allahut të bëjë ndonjë lëshim, ngase është obligim për popullatën që ta ndjekë, e si mund të obligohet të ndiqet dikush që bën gabime dhe lëshime?! Por, sqarimi i lëshimit dhe përmirësimi e pendimi, e eliminojnë këtë dilemë.
Në këtë kontekst, Mustafa El-Meragi ka thënë: ”Shpallja e Allahut nuk i shoqëron të dërguarit në çdo vepër që buron nga ata, si dhe në çdo fjalë që rrjedh prej tyre. Ata ballafaqohen me lëshime dhe gabime, dallohen nga njerëzit e tjerë me atë se Allahu nuk i lë në gabim pasi që të gabojnë (por i bën që menjëherë të pendohen), por ndonjëherë edhe i qorton”.
Megjithatë, ky konstatim nuk duhet të vëhet në të njëjtin kontekst me shpifjet dhe akuzat që ua kanë të dërguarve të Allahut pjesëtarët e besimeve tjera. Nëse lexohet Bibla, do të shihet se aty ka shumë shpifje dhe të pavërteta për të dërguarit e Allahut. Thuhet pa asnjë fakt dhe argument, se ata kanë bërë mëkate dhe gabime trashanike, si: tradhëti, zina, mashtrim, adhurim putash etj.. Këto janë të pavërteta, dhe të dërguarit e Allahut nuk mund të bëjnë gjëra të këtilla, ngase janë të mbrojtur. Konstatimi i një grupi të dijetarëve islamë ka krejt kuptim tjetër dhe i referohet krejt një çështjeje tjetër, gjegjësisht ka të bëjë me gabime të vogla jo në sferën e shpalljes dhe misionit, por në atë të jetës së përditshme, siç përmendet rasti i Muhamedit ﷺ me shartimin e hurmës.
Ndërkaq, për sa i përket shejtanit, shejtani asnjëherë nuk ka qenë engjëll, ai nuk i takon llojit të engjëjve, ngase engjëjt nuk gabojnë, por janë robër besnikë të Allahut, të krijuar nga drita, dhe të ngarkuar nga Allahu me detyra të caktuara. Këta robër besnikë, asnjëherë nuk e kthejnë prapa fjalën e Allahut, dhe çka u thuhet e bëjnë me përpikshmëri. Allahu i Madhërishëm për melekët ka thënë: ’’Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëj të rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruara” [Et-Tahrim: 6], “Ja ata janë rob të ndershëm! (26) Që nuk flasin para Tij, ata veprojnë me urdhërin e Tij (28)” (El-Enbija: 26-27). Kjo nuk ishte rast me shejtanin, ngase ai nuk e zbatoi urdhërin e Allahut të Madhërishëm që t’i bjerë në sexhde Ademit alejhis-selam. Me këtë gjest, ai e meritoi mallkimin e Allahut dhe largimin nga mëshira e Tij, si dhe e morri këtë rol që ka tash, pra devijimin e njerëzve.
Për atë se shejtani nuk është melek dëshmon vetë Kur’ani. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “(Përkujto) Kur u thamë engjëjve: “Përuluni Ademit, e ata iu përulën, përpos Iblisit. Ai ishte nga xhinët, prandaj nuk respektoi urdhërin e Zotit të vet…” [El-Kehf: 50].
Shejtani dhe melekët, janë dy lloje të ndryshme krijesash. Shejtani është i krijuar prej zjarrit, kurse melekët prej dritës. Aishja r.a. përcjell se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Melekët janë krijuar prej dritës, Iblisi është krijuar prej flakës, ndërkaq Ademi është krijuar nga ajo që ju është përshkruar”. [1]
Ibn Kethiri duke e komentuar ajetin 50 të sures El-Kehf, ka shënuar: ”El-Hasen El-Basriju ka thënë: Iblisi asnjëherë nuk ka qenë prej melekëve, ai është babai i xhinëve, sikur që është Ademi babai i njerëzve.” Këtë thënie e transmetoi Ibn Xheriri me zinxhir autentik prej El-Hasenit.
Allahu e di më së miri.
Dr. Bashkim Aliu
——————–
[1] Muslimi