Pyetja:

A është haram mbajtja e peshqëve në akuarium? Më kanë thënë se nuk bën, ngase është gjynah.

***

Përgjigjja:

Nuk është e ndaluar që të kesh në shtëpi akuarium me peshq. Allahu i Madhërishëm i ka krijuar gjallesat e ndryshme që të jenë në shërbim të njeriut, qoftë për ushqim, për transport, apo për zbukurim. Dijetarët islamë kanë përmendur se nuk është e ndaluar të mbahen kafshë në shtëpi, fjala është për shpezë në kafaz, nëse ushqehen dhe nuk keqtrajtohen. Këtë gjë e përmend edhe Ibn Haxheri ku bën komentimin e haditheve të përmbledhura [1] nga koleksioni i haditheve të sakta, me rastin e komentimit të hadithit të Enes ibn Malikut se vëllau i tij i vogël ka patur një shpend të vogël me të cilin ka luajtur dhe kur i ka ngordhur është mërzitur, e i Dërguari i Allahut ﷺ ia ka pyetur hallin pas rastit në fjalë. Ai e ka patur këtë shpend në kafaz, e i Dërguari i Allahut ﷺ nuk ia ka mohuar një veprim të tillë. Ibn Haxheri komenton se ky hadith është argument se lejohet të mbahen shpendët në kafaz, e normalisht, pasi lejohen shpendët, lejohen edhe peshqit.

Normalisht, është kusht që të përkujdesemi për peshqit apo shpezët të cilët i mbajmë të mbyllur në akuarium apo kafaz, gjegjësisht t’i ushqejmë dhe mos i lëmë pa ngrënë e pa pirë, dhe të mos i keqtrajtojmë. Kjo, ngase i Dërguari i Allahut ﷺ ka treguar se një grua ka hyrë në xhehenem për shkak të një maceje të cilën e ka mbyllur në shtëpinë e saj dhe nuk e ka ushqyer. Pra, edhe vetë nuk e ka ushqyer, edhe nuk e ka lënë të lirë macen vetë të dalë e të gjejë ushqim. Kjo ka qenë shkak që macja të ngordhë, e gruaja për këtë shkak e ka fituar xhehenemin.

Nga ky hadith kuptohet se ajo që nuk është dashur ta bëjë gruaja, nuk ka qenë mbajtja e maces në shtëpi, por mosushqimi i saj dhe moslënia e saj të lirë që vetë të gjejë ushqim. Për atë, është e lejuar të mbahen shpezë, apo kafshë shtëpiake apo peshq në vende të veçanta, me kusht që të ushqehen dhe të përkujdesemi për to.

Me këtë rast, më duhet të theksoj se disa fjalë që luajnë në mesin e popullatës tonë se nuk bën të mbahen shpezë apo peshq, se nuk është mirë, apo se shihen si ogur i keq, apo sjellin gjëra të këqija, në veçanti fukarallëk, janë fjalë boshe, të pabaza dhe janë besëtytni. Islami nuk pranon gjëra të këtilla dhe mbajtja e kafshëve, shpezëve apo peshqve nuk është ogur i zi dhe nuk sjell fukarallëk apo gjëra tjera të liga. Këto gjëra i ka luftuar i Dërguari i Allahut ﷺ dhe na ka ndaluar që të besojmë në ogure për iks gjëra që ndodhin, apo oguret t’i lidhim me krijesa e fenomene natyrore.

Megjithatë, larg çështjes së ogurit, duhet të kihet kujdes që të mos teprohet në zënien e kohës me kafshët vetëm për qëllim zbavitjeje. Kështu jemi dëshmitarë se nëpër vendet tona disa njerëz humbin kohë, bile bien në konflikt me njerëzit tjerë, duke u marrur me pëllumba. Jo se kjo punë është e ndaluar, por teprimi në këtë drejtim, duke e kaluar krejt kohën me pëllumba, nuk është në rregull. Poashtu, shqetësimi i fqinjëve, lagjes apo më gjerë duke i fluturuar, nuk është në rregull. Kjo vlen edhe për llojet tjera. Pra, duhet kujdes që mos teprohen gjërat.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu

———————-

[1] Fet’hu-l-Bari