Pyetja:
A ju lejohet femrave rregullimi i vetullave?
***
Përgjigjja:
Me emrin e Allahut të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit!
Rreth kësaj çështjeje është pyetur dijetari i njohur shejh Ibn Uthejmin dhe i është përgjigjur:
“Rregullimi i vetullave me shkulje është i ndaluar dhe është nga gjynahet e mëdha, sepse i Dërguari i Allahut ﷺ e ka mallkuar atë që bën këtë veprim dhe atë të cilit i bëhet ky veprim, ndërsa pakësimi i tyre me prerje apo rruajtje është çështje në të cilën dijetarët nuk kanë rënë në një mendje. Dikush thotë se kjo është përsëri si shkulja e tyre, e të tjerë prej tyre mendojnë se prerja dhe rruajtja nuk janë si shkulja, porse ne themi që më mirë është lënia e tyre siç janë, vetëm nëse janë aq të gjatë sa dëmtojnë syrin, atëherë mund të pakësohen aq sa të largohet dëmi.”
Në një përgjigje tjetër thotë:
“Nëse vetullat janë të mëdha (apo të shpeshta) aq sa nuk është gjë e zakonshme, atëherë nuk ka problem nëse rrallohen (apo pakësohen), e nëse janë të mëdha, por konsiderohen si gjë e zakonshme (jo e rrallë apo e veçantë), është më mirë të lihen ashtu siç janë. Nuk ka problem nëse rrallohen me prerje ose rruajtje, por jo me shkulje sepse ajo hyn në hadithin që e ndalon një gjë të tillë.”
Altin Plumbi