Pyetja:

Cila është dispozita mbi braktisjen e Kuranit? Cili është afati kohor për ta konsideruar dikë braktisës të Kuranit? Kam dëgjuar disa që e kufizojnë me afat treditor.

***

Përgjigjja:

I falenderuar qoftë Allahu, leximi i Kuranit është prej veprave që më shumë e afrojnë njeriun pranë Allahut, afrim ky i cili bëhet me fjalët që i ka zbritur vet Ai për t’i udhëzuar njerëzit drejt asaj që u siguron lumturi në dynja dhe ahiret.

Ky është edhe shkaku i teksteve të shumta që nxisin në lexim të Kuranit Famëmadh, që shpjegojnë shpërblimin e madh që e fiton lexuesi dhe hafizi i Librit të Allahut.

Ibn Rexhebi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Prej veprave vullnetare me të cilat njeriu më shumë i afrohet Allahut është leximi i shpeshtë i Kuranit, dëgjimi i tij me kuptim, meditim dhe reflektim rreth ajeteve.”

Habab ibn El Eret, radijallahu anhu, i tha një njeriut: “Afroju Allahut si të duash por dije se nuk do ti afrohesh më gjë më të dashur për Të se fjala e Tij.”

Tirmidhiu në Sunenin e tij e transmeton hadithin e Ebu Umames, radijallahu anhu, teksti i të cilit është: “Robërit nuk do ti afrohen Allahut me asgjë sikur i afrohen me atë që ka dal prej Tij (Kuranin).” (Tirmidhiu, 2911 dhe e vlerëson si Garib dhe Albani e vlerëson si të dobët)

Othmani, radijallahu anhu, ka thënë: “Po të ishin të pastra zemrat tuaja nuk do të ngopeshin me fjalët e Zotit tuaj.”

Ibn Mes’udi, radijallahu anhu, ka thënë: “Ai që e do Kuranin, ai e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ.”

Disa asketë i thanë nxënësit të tyre: “A e ke mësuar Kuranin përmendësh?” Tha: “Jo.” Thanë: “O Allah ndihmoi! Nxënës që nuk e di Kuranin përmendsh! E me çfarë do të kënaqet, më çfarë do të bën intonacion, më çfarë do ti drejtohet Zotit të tij.” (Xhamiul ulumi vel hikem, fq. 364)

Këto tekste nuk nënkuptojnë detyrën që Kurani të lexohet në çdo çast dhe moment, e as që nënkuptojnë që ai që nuk lexon Kuranin për një kohë të caktuar ka mëkat dhe meriton dënim. Qëndrimin e këtillë e arsyetojmë me dy shkaqe:

  1. Nuk kemi tekst të Kuranit apo Sunetit sipas të cilit leximi i tërë Kuranit brenda, për shembull, tre ditëve apo një muaji është farz për muslimanët. Tekstet që flasin për vlerën e leximit të shpeshtë të Kuranit, janë tekste nxitëse në bazë vullnetare dhe nuk e kanë kuptimin e detyrimit/obligimit.
  2. Në fjalët e dijetarëve, fukahave, muhadithinëve, mufesirinëve nuk kemi gjetur ndonjë fjali që detyron muslimanët dhe muslimanet të lexojnë Kuranin brenda një afati kohor, ose që flet për ndonjë mëkat nëse nuk veprohet ashtu. Shumë prej tyre e kanë konsideruar mekruh të kalojë më shumë se një muaj pa e lexuar Kuranin (pa bërë hatme). Tek disa përmendet edhe afati dyzet ditësh.

Ibn Kudame, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Është mekruh të vonohet hatmeja e Kuranit mbi dyzet ditë.”

Imam Ahmedi ka thënë: “Afati më i gjatë që kam dëgjuar për të bërë hatme është dyzet ditë, sepse vonimi më shumë se ky afat çon deri në harrim të Kuranit dhe shkujdes ndaj tij. Prandaj afati i përmendur është më primar që t’i përmbahemi, përveç në raste ku kemi arsye. Nëse kemi arsye atëherë kemi lehtësime.” (El Mugni, 1/459 dhe El Meusua El Fikhije, 33/58-59)

Disa dijetarë kanë përmendur se afatizimi i përmendur është i veçantë për hafizin e Kuranit, sepse ka rrezik të harrohet nëse tregohet i shkujdesur lidhur me leximin e tij dhe me bërjen e hatmes.

Ibn Abdidin Hanefiu, thotë: “Hafizi i Kuranit duhet të bëjë një hatme brenda dyzet ditëve.” (Durrul Muhtar, 6/757).

Themi se nuk i ka hije muslimanit, të cilin Allahu e ka nderuar me këtë fe madhështore dhe me këtë libër që është udhëzim dhe dritë, të lejojë të kalojnë ditë pa medituar rreth ajeteve të tij, pa lexuar ajete plotë urtësi dhe këshilla. Nuk ka dyshim se i tilli e ka privuar veten prej shumë të mirave.

Allahut i takon dija absolute.

Përktheu: Talha Kurtishi