Pyetja:

A ka hadith rreth agjërimit të Dhul Hixhes?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin , mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Pyetja rreth agjërimit të Dhjetëditëshit të parë të Dhul Hixhes është nga ato që shtrohet çdo herë që vijnë këto ditë. Në këtë përgjigje do të mundohemi të bëjmë një sqarim me të cilin shpresojmë se do ti largojmë ato paqartësi që kanë të bëjnë me agjërimin e këtyre ditëve nga ana e besimtarëve të cilët mundohen ti shfrytëzojnë sa më mirë këto ditë.

– Në lidhje me hadithin të cilin e keni përmendur ju në pyetjen tuaj rreth agjërimit të këtyre dhjetë ditëve themi se ai hadith nuk është i saktë. Atë e shënon imam Ahmedi dhe Nesaiu, në koleksionet e tyre dhe studiuesit e hadithit e vlerësojnë hadithin të dobët, ndër ta Zejleiu në “Nasbur Rraje”, Albani në “Irvaul Galil” dhe të tjerë.

Në fakt kemi një numër të haditheve të transmetuara rreth agjërimit të dhjetë ditëve të Dhulhixhes, mirëpo të gjitha ato nuk arrijnë shkallën që të argumentohemi me to, pasi që të gjitha janë të dobëta, ose të trilluara (mevdu). Këtë e përmend Ibën Rexhebi dhe ai thekson se ekzistojnë një numër i haditheve të këtilla, por nuk ja vlen të përmenden për shkak se nuk janë të qëndrueshme.

Në këtë bëjnë përjashtim hadithet të cilat vërtetojnë agjërimin e ditës së nëntë (dita e Arefatit), pasi për të kemi disa hadithe të sakta.

– Pas sqarimit të mësipërm themi se mos ekzistimi i ndonjë hadithi të veçantë që nxit konkretisht agjërimin e këtyre ditëve, nuk e përjashton lejimin e agjërimit të tyre. Kjo për faktin se kemi citate me të cilat njeriu nxitet që shtoj veprat e mira gjatë dhjetë ditëve të Dhul hixhes.

Abdullah Ibën Abasi, tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilat punët (veprat) e mira të jenë më të dashura tek Allahu sesa kryerja e tyre në këto dhjetë ditë. Thanë: ‘Edhe më të dashura se xhihadi (nëse bëhet në kohë tjetër)?’ Tha: ‘Më të dashura edhe se xhihadi (në kohë tjetër), vetëm nëse dikush del në xhihad me veten dhe pasurinë e tij e nuk kthehet me asnjërën prej tyre (nga xhihadi).”

Në Hadith kur thuhet: “punët (veprat) e mira”, atëherë me këtë nocion nënkuptojmë të gjitha llojet e veprave dhe ibadeteve të cilat mund ti kryej besimtari gjatë këtyre ditëve, sikurse, haxhi, umreja, falja e namazeve nafile, sadakaja, agjërimi, dhikri me gjuhë, etj. Prandaj nga ky hadith kuptojmë se agjërimi i këtyre dhjetë ditëve është e preferuar.

– Për ta plotësuar shtjellimin kësaj çështje do ta përmendim edhe atë se Imam Muslimi në koleksionin e tij e shënon një hadith nga Aisheja në të cilin ajo thotë: “Nuk e kam parë Pejgamberin ﷺ të ketë agjëruar dhjetë ditët e Dhul Hixhes”.

Dijetarët të cilët kanë folur rreth këtij hadithi dhe e kanë komentuar, sikurse Ahmed ibën Hanbeli, Ibën Haxheri, Neveviu, Ibën Kajimi, Shevkani, Mubarkfuri dhe të tjerë, kanë sqaruar se hadithi i lartpërmendur nuk përjashton agjërimin e këtyre ditëve.

Ata kanë dhënë shpjegime të shumta rreth këtij hadithi, ndër to:

Aishja ka përcjell atë që ka parë dhe në qoftë se ajo nuk e ka parë të Dërguarin, ﷺ nuk do të thotë se ai nuk ka agjëruar. Aishja e ka fjalën se Pejgamberi, ﷺ, nuk i ka agjëruar rresht këto dhjetë ditë, pasi që ai ka agjëruar ditën e nëntë (e Arafatit) dhe ndoshta ka agjëruar edhe ndonjë ditë tjetër. Është e mundur se i Dërguari ﷺ e la agjërimin e këtyre dhjetë ditëve, nga frika se mos po mendojnë njerëzit se është obligative agjërimi i tyre, ashtu si e la faljen e teravive në xhami, etj. Mos agjërimi i Muhamedit, ﷺ ashtu si mund të kuptohet nga hadithi i Aishes, nuk e ndalon agjërimin, pasi që ekzistojnë adhurime të cilat preferohen të veprohen nga besimtarë, por për to nuk kemi argumente të qarta e konkrete se Muhamedi, ﷺ i ka vepruar, sikurse agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit. Për këtë kemi hadithe që nxisin, por nuk ka ndonjë hadith konkret që tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ e ka vepruar. Pastaj gjithashtu agjërimi më i mirë, ai i Davudit alejhi selam, agjërimi një ditë po dhe një ditë jo, edhe për këtë nuk kemi ndonjë citat se ka qenë praktikë e të Dërguarit të Allahut ﷺ.

Këto janë disa nga shpjegimet e dijetarëve në lidhje me hadithin e Aishes dhe në fund themi se preferueshmëria e agjërimit të këtyre dhjetë ditëve ndërlidhet me hadithet e përgjithshme të cilat nxisin në kryerjen e veprave të mira, gjatë këtyre dhjetë ditëve. Prandaj nëse besimtari i agjëron këto ditë të Dhul Hixhes duke mos pretenduar se janë ditë të posaçme për agjërim sikurse gjashtë ditët e Shevalit ose dita e Ashureve, por si ditë në të cilat është e preferuar të shtoj veprat e mira (ibadetet) dhe ndër këto vepra ai shton edhe agjërimin e tyre qoftë edhe të gjitha ditët, atëherë ai ka të drejtë dhe ka shpërblim, me lejen e Allahut.

Ky mendim është qëndrimi i pothuajse të gjithë dijetarëve islam dhe këtë pikëpamje fuqimisht e përmbajnë katër medh`hebet, madje së bashku me ta edhe medh`hebi Dhahiri. Zoti e di më së miri!

Alaudin Abazi