Pyetje: Kjo motër e juaja për hir të Allahut, thotë: “I nderuar Shejkh, një mësuese e Kuranit Fisnik ndihet shumë në siklet që merr pagën mujore për këtë (mësimin e Kur’anit). Duke ditur se studentet paguajnë një shumë parash çdo muaj për të mbuluar pagat e mësueseve dhe shpenzimet e shkollës. Cili është gjykimi për këtë? Allahu ju shpërbleftë.”

Shejkh bin Baz: Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit.

Të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut, lëvdata e shumtë dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij, mbi familjen dhe shokët e tij, dhe mbi të gjithë ata që ndjekin udhëzimin e tij. E më pas:

Nuk ka asnjë pengesë që mësuesja apo mësuesi të marrin pagesë për mësimdhënie, për shkak të fjalës së Profetit ﷺ në hadithin e saktë:

إن أحق ما أخذتم عليه أجرًا كتاب الله

“Më me të drejtë që të merrni shpërblim për të është Libri i Allahut. ”
E ka transmetuar Bukhari në Sahih

Po ashtu, për shkak se një grup nga Sahabët – Allahu qoftë i kënaqur me ta dhe i bëftë ata që të jenë të kënaqur – kaluan pranë një grupi njerëzish prej beduinëve, të cilëve u ishte pickuar udhëheqësi (i pari i fisit), ndërkohë që ata nuk kishin pranuar që t’i mikprisnin (Sahabët). Porse, ata kërkuan nga Sahabët që t’i bënin rukje udhëheqësit të tyre.

Sahabët u thanë atyre: “Ju nuk na mikpritët, prandaj ne nuk do t’i lexojmë (Kur’an) atij ) vetëm se kundrejt pagesës.”

Kështu, ata ranë dakord që pagesa të ishte me dhen, me një kope me dhen. Atëherë, Sahabët lexuan rukje mbi të dhe Allahu e shëroi atë. Kështu, ata i dhanë atyre kopenë me dhen. Ndërsa, ata thanë: “Ne nuk do të bëjmë asgjë, derisa t’i marrim leje të Dërguarit të Allahut ﷺ.”

Kur erdhën në Medine, i treguan të Dërguarit ﷺ dhe ai u tha:

أصبتم، واضربوا لي معكم بسهم

“Vepruat drejt, më ndani edhe mua bashkë me juve një pjesë.”

Kjo tregon se nuk ka problem të merret shpërblim për mësimdhënie dhe për leximin mbi të sëmurin. E gjithë kjo nuk ka problem. Të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut. Po.

Prezantuesi: Allahu ju dhëntë mirësi dhe ju begatoftë, Shejkh i nderuar.

Burimi: https://binbaz.org.sa/fatwas/14528/حكم-أخذ-الأجرة-على-تعليم-القرآن
Përktheu: Altin Dallashi