Pyetje: Allahu ju dhëntë mirësi! Ka disa kompani farmaceutike që u ofrojnë mjekëve dhurata dhe para në këmbim të promovimit të disa llojeve të ilaçeve (barnave) dhe përshkrimit të tyre në recetat e pacientëve. Cili është gjykimi për marrjen e këtyre dhuratave dhe parave në këmbim të kësaj pune?

Përgjigja: Kjo çështje duhet detajuar.
Nëse mjekët janë të ndaluar nga kjo gjë në mënyrë zyrtare, atëherë nuk i lejohet mjekut që ta marrë atë dhe as që të punojë me të. Ama nëse mjekët nuk janë të ndaluar nga kjo gjë në mënyrë zyrtare, atëherë ata ndahen në dy grupe.

Grupi i parë: nëse ata janë punëtorë të përgjithshëm, pra që marrin rroga prej shtetit. Këtu nuk u lejohet atyre që të pranojnë dhurata, me përjashtim nëse i marrin ato (me qëllim) që t’i shpenzojnë për nevojtarët dhe t’ua japin ato nevojtarëve prej të sëmurëve, nëse (të sëmurët) kthehen tek ata.

Për shembull: mjeku e merr këtë ilaç dhe e vendos në zyrën e tij, nëse atij i vjen i sëmuri që ka nevojë për këtë ilaç dhe ai nuk ka mundësi për blerjen e tij, ia jep atij. Kjo, është ajo që unë mendoj se nuk ka problem në të.

(Grupi i dytë): Nëse ata janë prej mjekëve specialistë që nuk janë punëtorë shtetëror, pra që nuk marrin rroga nga shteti, dhe kompania për të cilën punojnë nuk i ndalon nga kjo gjë. Këtu u lejohet atyre marrja e tyre (dhuratave dhe parave) me kusht që mos t’i mashtrojnë muslimanët me këtë gjë, duke ia shkruar atë ilaç të sëmurit, ndërkohë që ajo është më pak e dobishme se të tjerat, ose është më e shtrenjtë se të tjerat, sepse përfaqësuesit i japin atyre dhurata. Kjo gjë, është mashtrim dhe nuk lejohet prej muslimanit.

Pra, nëse marrja e dhuratave është e kushtëzuar që ta shkruajnë këtë ilaç në receta, dhe ky ilaç ka më pak dobi se ilaçet e tjera, atëherë kjo gjë nuk lejohet. Nuk u lejohet atyre marrja (e dhuratave dhe parave) dhe nuk u lejohet atyre përshkrimi (i atij ilaçi në receta). Gjithashtu, nëse ky ilaç është më i shtrenjtë se ilaçet e tjera duke qenë i njëjtë në dobi, përsëri nuk i lejohet mjekut që t’ia shkruajë të sëmurit ilaçet më të shtrenjta vetëm për arsye se përfaqësuesit u japin atyre dhurata. Dhe Allahu e di më së miri!

Shejkh Sulejman ibn SelimUllah Er-Ruhajli – Allahu e ruajttë / Përktheu: Shuajb Ymeraj