Pyetja:

Cili është qëndrimi i sheriatit lidhur me aktrimin në video insertet e ndryshme ose nëpër shfaqjet teatrore, qëllimi i të cilave është veprimi në fushën e thirrjes në rrugën e Allahut?

***

Përgjigjja:

Nëse këto shfaqje dhe video inserte nuk përmbajnë diçka që është e ndaluar me sheriat, unë konsideroj se në to nuk ka asgjë të keqe dhe se nuk janë të ndaluara. Si “të ndaluar” e konsideroj të luhet roli i Pejgamberit ﷺ, i sahabëve të tij të ndershëm dhe i imamëve të ummetit, ngjashëm sikur që nëpër ato shfaqje nuk guxon të ketë gënjeshtra. Ato duhet të realizohen në atë mënyrë që të paraqiten ashtu siç duhet disa situata dhe ngjarje dhe kjo nuk hyn në gënjeshtër. Njeriu që luan në shfaqje dhe thotë diçka që nuk ka ndodhur në realitet, ai me këtë nuk dëshiron të gënjejë e mashtrojë, por vetëm të sjellë një shembull dhe të përafrojë pamjen e një ndodhie me qëllim që prej saj të nxirret ndonjë mësim dhe dobi e caktuar. Po ashtu, të gjithë ata që i shikojnë këto shfaqje, e dinë shumë mirë se aktorët vetëm luajnë disa role të caktuara dhe se në të vërtetë ata nuk gënjejnë njëri-tjetrin, kështu që kjo nuk mund të konsiderohet gënjeshtër.

Shejh Uthejmini, “Zgjimi islam”