Pyetja:
A lejohet dialogu ndërfetar me fetë e tjera?
***
Përgjigjja:
Dialogu ndërfetar është një nismë dhe praktikë, që ka synime dhe qëllime shpesh të ndryshme mes atyre që janë përfshirë në të. Ajo që duhet thënë që fillim është, se fetë nuk bëjnë dialog, por janë besimtarët e këtyre feve ata të cilët dialogojnë mes tyre, për çështje nga më të ndryshmet, që nga ato doktrinare e teologjike, e deri tek ato morale dhe kulturore, ekonomike, sociale dhe politike.
Së pari, nga këndvështrimi islam në planin fetar, nëse dialogu i muslimanëve me ithtarët e feve të tjera ka si qëllim shpalosjen e së vërtetës së Islamit dhe ftesën drejtuar atyre për të pranuar të Dërguarin e Allahut, Muhamedin [ﷺ] si profeti i fundit dhe fesë që ai përcolli nga Zoti, si e vërteta përfundimtare e Krijuesit për njerëzit, atëherë një dialog i tillë është i përligjur dhe i pranuar.
Allahu thotë në Kuran:
“Thuaju: “O Ithtarë të Librit! Ejani në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe mes jush: “Të mos adhurojmë asnjë tjetër përveç Allahut e të mos i bëjmë Atij shok në adhurim! Të mos e konsiderojmë njëri-tjetrin si zota përveç Allahut!” E në qoftë se ata refuzojnë, thuaju: “Dëshmoni se ne jemi muslimanë (të nënshtruar ndaj Tij)!” (Ali Imran: 64)
Por nëse dialogu me ithtarët e feve të tjera, ka si synim dhe qëllim, që muslimanët të pranojnë saktësinë dhe vërtetësinë e feve të tjera, kjo nuk lejohet, sepse kjo do të thotë miratim i të pavërtetës apo relativizim i saj dhe në fenë islame kjo konsiderohet si akt apostazie (kufri), që mohon vërtetësinë eskluzive të Islamit. Si i tillë ky dialog nuk ka asnjë vlerë dhe është i dëmshëm.
Së dyti, në planin jofetar, nëse dialogu me ithtarët e feve të tjera ka si synim dhe qëllim ruajtjen e marrëdhënieve të mira mes njerëzve, grupeve apo pakicave fetare, duke u kujdesur për çështje sociale, ekonomike, politike, apo edhe morale, atëherë kjo përfshihet në konceptin e marrëdhënieve të mira ndërnjerëzore, të bashkëjetesës dhe tolerancës në një shoqëri me besime dhe fe të ndryshme. Një synim dhe qëllim të tillë Islami nuk e refuzon, përkundrazi ai nxit në mirësi dhe mirësjellje me të gjithë njerëzit, që nuk tregohen dashakeqës dhe armiqësorë me të.
Allahu thotë në Kuran:
“Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftojnë, për shkak të fesë e që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë.” (el-Mumtehine: 8)
Dhe historia është dëshmitari më i mirë sesi muslimanët, si rrallë kush në botë i kanë trajtuar me tolerancë dhe iu kanë dhënë siguri të krishterëve, hebrenjve dhe të tjerëve në shoqëritë e tyre islame.
Por në marrëdhënie me jomuslimanët duhet të kihen parasysh tre kritere:
- Të respektohet parimi islam i “besnikërisë dhe distancimit” (vela uel-berra) mbi baza fetare, sepse është parim i rëndësishëm i Islamit dhe nuk bie ndesh me mirësinë, mirësjelljen dhe tolerancën ndaj jomuslimanëve.
- Të mbahet drejtësi, sepse drejtësia është themeli i zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së një shoqërie.
- Marrëdhënia me çdo individ të bazohet në urtësi, secili sipas asaj që meriton dhe i përshtatet, në përputhje kjo edhe me normat islame.Allahu e di më së miri.
Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë