Pyetje: A lejohet festimi i netëve të mira me ushqime të veçanta dhe ëmbëlsira siç bëjnë njerëzit?

Përgjigja:
Netët e mira që përmenden shpesh janë katër:
1-Nata e Ragaibit në xhumanë e parë të muajit Rexhep e cila është trillim dhe nuk ka asnjë saktësi.
2-Nata e Israsë dhe Miraxhit e cila dihet se ka ndodhur por nuk dihet me saktësi se kur ka ndodhur. Mendohet të ketë ndodhur nga fundi i muajit Rexhep, por nuk ka ardhur gjë nga Profeti alejhi selam dhe sahabet se vlera e saj vazhdon çdo vit.
3-Nata e Beraetit në mesin e muajit Shaban.
4-Nata e Kadrit në Ramazan

Dy të parat ajo e Ragaibit që është trillim dhe nuk ka asnjë farë vlere dhe ajo e Israsë dhe e Miraxhit që vlera e saj nuk vazhdon, vetë kjo karakteristikë e tyre tregon se nuk ka çfarë të festohet.

Ndërsa dy netët që vlera e tyre është e saktë dhe e vazhdueshme ajo e Beraetit dhe e Kadrit, kanë qëllime të caktuara.
Ajo e Beraetit është për të rregulluar marrëdhëniet e besimit me Allahun dhe marrëdhëniet morale me njerëzit, ndërsa Nata e Kadrit është për adhurim.

Pra, edhe këto netë që u dihet vlera, nuk janë për festim siç bëjnë njerëzit dhe në lidhje me këtë veprim thoshte dijetari i njohur rreth çështjeve të Bidatit, Ebu Bekr Et-Turtushi -Allahu e mëshiroftë-:
《Prej bidateve është bashkimi i njerëzve në Andalozi për të blerë ëmbëlsira natën e 27 të Ramazanit》.

 

Na ndiqni edhe në telegram
https://t.me/hoxheAbdullahNabolli