Israja dhe Mi’raxhi
– Çka nënkuptohet me fjalën Isra’ dhe Mi’raxh në aspektin fetar?
– Me fjalën Isra’ nënkuptohet udhëtimi i të Dërguarit prej Mekës deri në Mesxhidul-Aksa. Ndërsa me fjalën Mi’raxh nënkuptohet ngritja e tij prej Mesxhidul-Aksasë deri në qiellin e shtatë.
– A është përmendur Israja në Kuran?
– Po, madje një kaptinë e plotë e Kuranit është quajtur me këtë emër. Allahu në fillim të saj thotë: “Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidul-Haramit (prej Qabes) deri në Mesxhidul-Aksa, rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtetë Ai është Dëgjuesi, Shikuesi.” (El-Isra, 1)
– Çka do të thotë Mesxhidul-Aksa?
Mesxhidul-Aksa do të thotë Xhamia e Largët. Kështu është quajtur, për shkak se nga Meka kjo xhami ishte mjaft larg dhe njerëzit nuk mund të udhëtonin lehtë deri atje.
– Kur ka ndodhur Israja dhe Mi’raxhi?
– Është e njohur se Israja dhe Mi’raxhi ka ndodhur para hixhretit të Pejgamberit (salallahu alejhi ve selem) në Medine, por saktësisht nuk vërtetohet ndonjë datë për këtë udhëtim dhe për këtë shkak dijetarët kanë përmendur shumë mendime, të cilat arrijnë deri në njëzet data të ndryshme.
– Çka ndodhi me të Dërguarin para se të niset në këtë udhëtim?
– Muhamedit (salallahu alejhi ve selem) para se të niset në këtë udhëtim, i erdhi Xhibrili (alejhi selam) dhe ia hapi zemrën atij, ia pastroi atë me ujë të zemzemit dhe ia mbushi me urtësi dhe iman.
– A ka ndodhur edhe ndonjëherë tjetër hapja e gjoksit të Pejgamberit (salallahu alejhi ve selem), apo kjo është hera e vetme?
– Po, ka ndodhur gjithashtu kur i Dërguari ishte fëmijë dhe ishte nën përkujdesjen e Halimes, nënës së tij prej qumështi.
– Cili ishte mjeti me të cilin udhëtoi Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem)?
– Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) natën e Israsë dhe Mi’raxhit udhëtoi me një kafshë e cila quhet Burak.
– Çka veproi i Dërguari (salallahu alejhi ve selem) kur arriti në Mesxhidul Aksa?
– Ai (salallahu alejhi ve selem) u priu si imam të gjithë pejgamberëve dhe ua fali namazin atyre.
– Cilët pejgamberë i takoi i Dërguari nëpër qiej, duke u ngritur në Mi’raxh?
– Në qiellin e parë e takoi Ademin (alejhi selam). Në qiellin e dytë e takoi Jahjanë dhe Isain (alejhime selam). Në qiellin e tretë Jusufin (alejhi selam). Në qiellin e katërt Idrisin (alejhi selam). Në qiellin e pestë Harunin (alejhi selam). Në qiellin e gjashtë Musain (alejhi selam) dhe në qiellin e shtatë Ibrahimin (alejhi selam). (Buhariu dhe Muslimi)
– I Dërguari (salallahu alejhi ve selem) në qiell e pa edhe Bejtul-Ma’murin. Çka është Bejtul-Ma’muri?
– Bejtul-Ma’muri është shtëpi e bekuar dhe e shenjtë në qiellin e shtatë, në të cilën bëjnë ibadet melaiket. Vendi i saj përkon me vendin e Qabes në tokë. Muhamedi (salallahu alejhi ve selem) thotë: “Në të për çdo ditë hyjnë nga shtatëdhjetë mijë melaike, të cilat pasi të dalin, nuk (iu vjen radha të) kthehen më në të asnjëherë.” (Buhariu dhe Muslimi)
– Deri në cilin vend arriti i Dërguari (salallahu alejhi ve selem) në qiell?
– Deri në Sidretul-Munteha. (Buhariu dhe Muslimi) Sidretul-Munteha është një pemë, degët e të cilës arrijnë deri në qiellin e shtatë.
– Si e përshëndeti i Dërguari Allahun (azze ve xhel)?
– Thuhet se Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) e përshëndeti Allahun duke thënë: “Etehijatu lilahi (Përshëndetjet i takojnë Allahut), ndërsa Allahu ia ktheu duke thënë: Vessalavatu vetajibatu, esselamu alejke ejjuhennebijj (përshëndetje dhe selam edhe për ty, o ti i Dërguar).” E pastaj melaiket thanë: “Esselamu alejna ve ala ibadilahi salihin (Selami qoftë edhe mbi ne dhe mbi robërit e mirë të Allahut).” Por, kjo përshëndetje dhe ky transmetim nuk është i vërtetë dhe nuk ka bazë në sunetin e të Dërguarit. Ndërsa këtë lutje ne e bëjmë në namaz ngase kështu na ka mësuar Muhamedi (salallahu alejhi ve selem), e jo se ka ndodhur një gjë e tillë në qiell.
– Çka i dhuroi Allahu Muhamedit (salallahu alejhi ve selem) për umetin e tij?
– Allahu i dhuroi për umetin e tij si obligim faljen e namazit pesëdhjetë herë në ditë. Pasi Musai e këshilloi të Dërguarin që të kërkojë prej Allahut që t’ia zbret numrin e namazeve, atëherë Allahu e zbriti atë prej pesëdhjetë në pesë. (Buhariu dhe Muslimi)
– Xhibrili (alejhi selam) ia ofroi dy enë Muhamedit (salallahualejhi veslem) për të zgjedhur njërën prej tyre. Çfarë kishte në to?
– Në njërën enë kishte qumësht, e në tjetrën kishte verë. Muhamedi (salallahu alejhi ve selem) e zgjodhi qumështin. Xhibrili (alejhi selam) i tha atij: E ke zgjedhur të natyrshmen. (Muslimi)
– Si reaguan idhujtarët e Mekës kur dëgjuan për këtë udhëtim?
– E kundërshtuan duke e ofenduar dhe u tallur me atë. Ata kërkuan që i Dërguari t’ua përshkruajë Mesxhidul-Aksanë nëse vërtetë e ka parë atë. Por, pasi ua përshkroi atë ashtu siç ishte, nuk e pranuan dhe thanë: Kjo është magji.
– Si reagoi Ebu Bekri kur dëgjoi për këtë lajm?
– Ebu Bekri (radijallahu anhu) tha: Nëse ka thënë i Dërguari unë e besoj atë, ngase unë e kam besuar për një gjë që është më e madhe se kjo. Unë kam besuar se atij i vjen lajmi prej qielli.
– Si u quajt Ebu Bekri prej këtij momenti?
– Prej këtij momenti Ebu Bekri (radijallahu anhu) e mori nofkën Es-Siddik – Besniku.
– A ishte udhëtimi i Israsë dhe Mi’raxhit vetëm me shpirt apo edhe me trup?
– Udhëtimi i Israsë dhe Mi’raxhit ishte edhe me trup edhe me shpirt.
– A duhet të festohet dhe madhërohet nata e Israsë dhe Mi’raxhit?
– Jo, nuk duhet të festohet në këtë natë, ngase për festimin dhe madhërimin e saj nuk ka ndonjë argument.
Hoxhë Omer Bajrami
Nga libri: A e njeh ti atë?




