Pyetja:
A lejohet gënjeshtra dhe nëse po, kur?
***
Përgjigjja:
Falenderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Me të vërtet rrena është nga mëkatet e mëdhaja dhe dërgon në moral të ulët, ajo është edhe cilësi e munafikëve (dyftyrsisë) ashtu si i përshkruan Kurani.
Ekzistojnë hadithe të shumta ku ndalohet gënjeshtra, ndër ta është edhe thënia e Profetit ﷺ: “Është tradhti e madhe t`i tregosh vëllait tënd (musliman) një çështje, ai ty të beson kurse ti e gënjen atë.” [1]
Kurse sa i përket rasteve, se kur lejohet gënjeshtra, ajo sqarohet në hadithin që tregohet nga Umu Kulthum ku thotë Profeti ﷺ: “Nuk është gënjeshtar ai që pajton ndërmjet njerëzve (të ngatërruar) dhe thotë një gjë të mirë apo… pastaj vazhdon e thotë ajo (transmetuesja): Nuk kam dëgjuar se e ka lejuar në ndonjë rast tjetër përveç këtyre tri rasteve: Pajtimin ndërmjet njerëzve (të ngatërruar), në luftë, apo ta gënjejë burri gruan e tij apo gruaja burrin e saj.” [2]
Disa dijetarë kanë thënë se lejohet gënjeshtra në raste të domosdoshme si shpëtimi i jetës së ndonjë të pafajshmi apo diçka të ngjashme. Por të gënjesh jashtë këtyre rasteve është e ndaluar dhe duhet ta kemi frikë Allahun.
Alaudin Abazi
————————
[1] Buhariu, ”Edebu Mufred” dhe Ebu Davudi
[2] Muslimi