Pyetja:

A lejohet heqja e mustaqeve tek femrat?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Sa i përket heqjes së qimeve nga trupi, ato ndahen në tri lloje:

1. Ato të cilat janë të ndaluara të hiqen.

2. Ato të cilat jemi të obliguar t`i heqim.

3. Ato për të cilat nuk kemi citat apo, me fjalë të tjera, për të cilat është heshtur apo nuk është përmendur vendimi për to.

Në llojin e parë, pra ato qime që janë të ndaluara të hiqen janë: Mjekra për mashkullin dhe vetullat për mashkullin dhe femrat.
Argumenti për mjekrën është hadithi i Pejgamberit ﷺ ku thotë: “Kundërshtoni idhujtarët, shkurtoni mustaqet dhe lëshoni mjekrat!” [1] Për këtë ekzistojnë edhe hadithe të tjera të shumta.

Kurse për heqjen apo shkuljen e vetullave ekzistojnë një numër i haditheve që e ndalojnë atë dhe se Allahu i Lartësuar i mallkon ata që e bëjnë atë.

2. Ato që jemi të urdhëruar t`i heqim janë qimet e sqetullave dhe pjesëve intime.

3. Kurse për ato që nuk ka citat të prerë me të cilën urdhërohemi apo ndalohemi në heqjen apo mos heqjen e tyre. Pejgamberi ﷺ thotë: “Vërtetë, Allahu i Lartësuar disa gjëra i ka bërë hallall, disa të tjera i ka bërë haram. Atë që e ka bërë hallall ajo është e lejuar për ju, atë që e ka bërë haram ajo është e ndaluar për ju. Kurse për ato që ka heshtur, ajo është mëshirë dhe falje për ju.” [2]

Nga ky hadith kuptojmë se për ato gjëra që nuk ka citat me të cilën urdhërohemi apo ndalohemi, atëherë ajo është e lejuar.

Shejh ibën Uthejmin në librin “Pyetje dhe përgjigje mbi çështjet e gruas” thotë: “Gruas i lejohet që t’i heqë qimet e tepërta që dalin në disa vende jo të zakonshme, si p.sh. tek faqet apo mustaqet etj., sepse ato ia prishin bukurinë asaj.”
Allahu e di më së miri.

Alaudin Abazi

————————————————–

[1] Buhariu dhe Muslimi

[2] Bejhekiu