Pyetja:

A lejohet ndryshimi i nijetit gjatë namazit?

***

Përgjigjja:

Ndryshimi i nijetit do të thotë që ose ta ndryshosh atë nga diçka specifike në një gjë tjetër specifike, ose nga diçka e përgjithshme në diçka specifike. Kjo s’është në rregull. Por, nëse kjo është ndryshim nga diçka specifike në diçka të përgjithshme, atëherë në këtë s’ka gjë të gabuar. Për shembull, ndryshimi nga diçka specifike në një gjë tjetër specifike: Një person do që të ndryshojë namazin sunet të Duhasë në namaz të rregullt të sabahut, të cilin ai nuk e ka falur dhe do që ta kompensojë. Ai e thotë tekbirin me nijetin e faljes së dy rekateve të duhasë, pastaj atij i kujtohet se nuk ka falur namazin e rregullt të sabahut, kështu që ai e ndryshon atë në namaz të rregullt të sabahut. Kjo nuk është e vlefshme, sepse namazi i rregullt i sabahut ka dy rekate për të cilat ai do të duhej të kishte nijetin qysh në fillim të namazit. Një tjetër shembull është një person që nis namazin e ikindisë dhe, ndërsa falet, i kujtohet se nuk ka falur namazin e drekës, kështu që ai e bën nijetin që ky namaz të jetë i drekës. Edhe kjo, po ashtu, s’është e vlefshme, sepse nijeti për një namaz specifik duhet të bëhet që në fillim. Sa i përket ndryshimit nga diçka e përgjithshme në diçka specifike, siç është nëse një person nis të falë një namaz të përgjithshëm (dmth nafile/të vullnetshëm), pastaj atij i kujtohet se ai nuk ka falur sabahun apo sunetin e sabahut, kështu që ai e ndryshon nijetin e tij për të falur sabahun apo sunetin e sabahut – as kjo nuk është e vlefshme. Por, nëse ai ndryshon diçka specifike në diçka të përgjithshme, siç është rasti kur ai nis namazin me nijetin për namaz të rregullt të sabahut dhe, ndërsa falet, i kujtohet se tashmë ai ka falur këtë namaz; në këtë rast ai mund ta ndryshojë nijetin e tij fillestar në nijetin që thjesht vetëm të falë një namaz (nafile). Një tjetër shembull është ai i personit i cili nis të falë një namaz të obligueshëm në vetvete, pastaj një grup (xhemat) vjen dhe ai do që ta ndryshojë namazin e tij të obligueshëm në një namaz nafile, në mënyrë që ai mund ta shkurtojë dhe të falë vetëm dy rekate, pastaj të falë namazin obligueshëm së bashku me grupin. Kjo është e lejueshme, sepse ai po ndryshon diçka specifike në diçka të përgjithshme.

Kështu, parimi është se:
• ndryshimi nga diçka specifike në diçka tjetër specifike nuk është i vlefshëm;
• ndryshimi nga diçka e përgjithshme në diçka specifike nuk është i vlefshëm;
• ndryshimi nga diçka specifike në diçka të përgjithshme është i vlefshëm.

Shejh Ibn Uthejmini, “Mexhmû Fetâwa” 12/ pyetja nr. 347